Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka filluar Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës.
Sipas, Ministrisë së Shëndetësisë, kjo javë shënon një angazhim të vazhdueshëm institucional për rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi këtë sëmundje, me theks të veçantë në parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.
Në kuadër të politikave parandaluese dhe investimeve strategjike në shëndetin publik, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka pesëfishuar buxhetin për vaksina, duke mundësuar zgjerimin e kalendarit të rregullt të vaksinimit me tri vaksina të reja, ndër to edhe vaksinën kundër HPV-së.
“Kanceri i qafës së mitrës është një tumor malinj që zhvillohet në cerviks dhe përbën një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë në nivel global. Shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni me Human Papillomavirus (HPV), ndërsa faktorët e rrezikut lidhen kryesisht me infeksione të patrajtuara, seksualisht të transmetueshme dhe infeksione të vazhdueshme me tipe të caktuara të HPV-së.” ka shpjeguar ministria.
Ky institucion thekson se sipas të dhënave globale, gjatë vitit 2022 janë regjistruar rreth 660 mijë raste të reja dhe rreth 350 mijë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës. Kurse, në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 140 raste, që përbëjnë rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të kancerit.

Sipas ministrisë, programi i vaksinimit kundër HPV-së po zbatohet për vajzat dhe djemtë 12-vjeçarë. Gjatë vitit 2024 janë vaksinuar 9,990 vajza, që përfaqësojnë rreth 85 për qind të grupit të synuar. Nga viti 2025, programi është zgjeruar edhe për djemtë, dhe deri më tani janë vaksinuar gjithsej 19,513 fëmijë, përkatësisht 9,651 vajza dhe 9,862 djem, duke arritur një mbulim prej rreth 85 për qind të target grupit.
“Skriningu i rregullt me PAP test mbetet një ndër mjetet më efektive për zbulimin e hershëm të ndryshimeve para-kanceroze dhe për uljen e ndjeshme të vdekshmërisë.” theksohet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjitha grave që të shfrytëzojnë shërbimet parandaluese dhe të kujdesen në mënyrë aktive për shëndetin e tyre.












