Sot u mbajt eventi Lifestyle Conference 2025 i cili mblodhi profesionistë të shëndetit publik, mjekë, ligjërues, stomatologë, nutricionistë, farmacistë, trajnerë fizikë dhe gazetarë.
Përmes tre paneleve të diskutimit dhe një numri të madh folësish, konferenca hapi dyert për dialog rreth stilit të shëndetshëm të jetesës dhe rëndësisë së reduktimit të dëmeve që vijnë nga rutina e përditshme.
Në këtë ngjarje pjesëmarrësit patën mundësinë të fitojnë njohuri praktike, të rrjetëzohen dhe të inspirohen për të ndërtuar një stil jetese më të shëndetshëm dhe më të ndërgjegjshëm.
Në këtë event u zhvilluan tre panele diskutimi, një ligjëratë kryesore dhe dy prezantime individuale.

Tema që u diskutua në panelin e parë ishte “Varësia, përdorimi i substancave dhe reduktimi i dëmeve”. Ky panel u moderua nga Freskida Miloti dhe në të morën pjesë Kadri Bytyqi, Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës; Roland Shuperka, Specialist i Shëndetit Publik nga Shqipëria; Luan Perçuku, Kardiolog dhe Rita Parashumti, Specialiste e Mjekësisë Preventive dhe Holistike.
Gjatë bisedës, Shuperka foli për dëmet dhe pasojat e duhanit ku theksoi se është e rëndësishme të përdoren forma alternative më pak të dëmshme për personat që janë të varur nga duhani.
Këtu ai përmendi alternativa të duhanit pa djegie të cilat mund të përdoren deri sa një person të eleminojë varësinë nga duhani.
Të njëtën gjë e pohoi edhe kardiologu Perçuku.
“Nëse dikush nuk arrinë ta lërë duhanin atëherë duhet të mundohet që të paktën të gjejë alternativa më pak të dëmshme”.
Pas panelit të parë, Vera Ora mbajti ligjëratën kryesore me temën “Shëndeti mendor dhe qëndrueshmëria”.


Më pas, konferenca vijoi me panelin e dytë me temën “Stili i shëndetshëm i jetës gjatë gjithë jetës: nga rinia në moshën e rritur”, i moderuar nga Saranda Bujupi Rama, gazetare e shëndetësisë dhe drejtoreshë e “Familja Jonë”.
Folësit e këtij paneli ishin Pranvera Selimi, influencuese e stilit të jetës; Elton Bahtiri, Endokrinolog; Vala Pupovci, Nutricioniste dhe Neshat Krasniqi, Trajner fitnesi.


Tutje, Elma Miftari, Specialiste e Neuropsikologjisë Klinike prezantoi temën “Riorganizimi i trurit: neurogjeneza brenda dhe përtej ndërhyrjeve farmakologjike në çrregullimet neurozhvillimore”.
Më pas, u mbajt paneli i tretë me temën “Pas traumës dhe shëndeti mendor: nga ndërgjegjësimi te shërimi”, i moderuar nga Kaltrina Ajeti, Konsulente e Shëndetit Mendor.
Në këtë panel morën pjesë Elma Miftari, Specialiste e Neuropsikologjisë Klinike; Rushit Ismajli, Specialist i Mjekësisë Familjare; Fitim Uka, Psikolog; Erlet Muçolli, Instruktor i Certifikuar Pilates dhe Fizioterapist; dhe Pranvera Osmani, Nutricioniste.
Në pjesën e fundit të konferencës, Vlora Kutllovci dhe Agron Kamberi prezantuan temën “Shëndeti parandalues si prioritet strategjik: roli kritik i diagnostikës laboratorike në zbulimin e hershëm të rreziqeve”, duke theksuar rëndësinë e qasjes parandalese dhe të diagnostikës së hershme në ruajtjen e shëndetit publik.













