Doktorata e mbrojtur nga Shqipdona Lahu është vlerësuar si doktoratura më e mirë për periudhën 2024–2025 në Universitetin Teknik të Mynihut, një nga universitetet më prestigjioze në Gjermani dhe në Bashkimin Evropian.
Për këtë arritje Fondacioni “Dimitris N. Chorafas” i ndau Çmimin e vitit 2025 në fushën e Shkencave të Jetës dhe Mjekësisë (Life Sciences and Medicine), në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj shkencor, shkruan Gazeta Shneta.
Shqipdona Lahu mbrojti temën e doktoraturës me titull: “Novel aspects of antiplatelet drug therapy in patients undergoing percutaneous coronary interventions”, nën mentorimin e Prof. Dr. Adnan Kastratit, një prej shkencëtarëve shqiptarë më të njohur në botë.
Mbrojtja u zhvillua para një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga ekspertë gjermanë dhe zviceranë, duke marrë vlerësimin më të lartë akademik “Summa cum laude”, dhe duke u promovuar si Doktor i Shkencave Mjekësore (Ph.D.).
Gjatë punës kërkimore, Lahu ka kontribuar me mbi 25 punime shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare prestigjioze të mjekësisë, si autore e parë dhe bashkautore, dhe ka marrë pjesë në konferenca e kongrese ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë.
Në vitin 2022, ajo u pranua si Fellow në Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë (FESC), duke u renditur mes emrave të njohur të kësaj fushe.
Aktualisht, Shqipdona Lahu është në specializim në Klinikën Universitare të Kardiologjisë, Deutsches Herzzentrum në Mynih, ku vazhdon të kontribuojë në kërkimin shkencor dhe praktikën mjekësore në kardiologji.













