Enj, Mar 26, 2026
Banner Top
Banner Top

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka përcjellë me mirënjohje dhe respekt në pension Dr. Burbuqe Nushi-Latifin, Koordinatoren e Qendrës së Ujit në këtë institucion, e cila për shumë vite ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit publik në vend.

Gjatë karrierës së saj të gjatë dhe të pasur, Dr. Nushi-Latifi është dalluar për përkushtim, profesionalizëm dhe integritet të lartë në punë. Si udhëheqëse e Qendrës së Ujit, ajo ka luajtur rol thelbësor në forcimin e kapaciteteve të kësaj qendre, në ndërtimin e bashkëpunimeve me institucione vendore e ndërkombëtare dhe në ngritjen e standardeve të monitorimit të ujit të pijshëm në përputhje me praktikat evropiane.

Me pasion dhe përgjegjësi të veçantë, ajo ka punuar për të siguruar që uji i pijshëm në Kosovë të jetë i sigurt për qytetarët duke e bërë mbrojtjen e shëndetit publik mision të përditshëm të saj. Përveç kontributit profesional, Dr. Nushi-Latifi ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve të shëndetit publik duke ndarë përvojën dhe dijen e saj me përkushtim e modestie.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku morën pjesë kolegë nga IKSHPK dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, Drejtoresha e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, e falënderoi Dr. Nushi-Latifin për bashkëpunimin dhe kontributin e çmuar ndër vite. Ajo theksoi se Dr. Nushi-Latifi ka qenë gjithmonë shembull frymëzimi për kolegët dhe se emri i saj do të mbetet pjesë e paharruar e historisë së shëndetit publik në Kosovë.

Në këtë etapë të re të jetës, IKSHPK i uron Dr. Burbuqe Nushi-Latifit shëndet të mirë, lumturi dhe shumë gëzime pranë familjes dhe të dashurve të saj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë