Veshkat kanë një funksion thelbësor në organizëm: ato filtrojnë mbetjet, lëngjet e tepërta dhe elektrolitet (si natriumi dhe kaliumi) nga gjaku, ndihmojnë në rregullimin e tensionit të gjakut, prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe balancën e kalciumit. Kur këto organe dëmtohen, aftësia për të kryer këto funksione dobësohet, duke çuar në akumulim toksinash, mbajtje të lëngjeve dhe çrregullime të elektroliteve – gjë që mund të sjellë probleme serioze si tension i lartë, sëmundje të zemrës apo dobësim të kockave.
Lajmi i mirë është se ndryshime të vogla në stilin e jetesës mund të kenë ndikim të madh në mbrojtjen e veshkave. Më poshtë janë shtatë zakone të zakonshme që, nëse i shmangni, mund të ndihmoni në ruajtjen e shëndetit të tyre:
- Përdorimi i shpeshtë i qetësuesve
Qetësuesit kundër dhimbjes dhe inflamacionit, si ibuprofeni apo aspirina, mund të dëmtojnë tubat e vegjël të veshkave, duke ulur rrjedhjen e gjakut dhe shkaktuar inflamacion. Rreziku është më i lartë te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Përdorimi i tyre duhet të kufizohet në dozat dhe kohëzgjatjen e rekomanduar dhe vetëm nën mbikëqyrje mjekësore, veçanërisht për ata me probleme të veshkave.
- Mos pirja e mjaftueshme e ujit
Uji është thelbësor për largimin e mbetjeve nga trupi. Dehidratimi çon në urinë të përqendruar, e cila përmban më shumë minerale dhe toksina – duke rritur rrezikun për gurë në veshka dhe infeksione urinare.
Rekomandohet të konsumoni rreth 1.5–2 litra ujë në ditë (afërsisht 6–8 gota), përveç rasteve kur mjeku ju ka rekomanduar ndryshe.
- Konsumi i tepërt i alkoolit
Alkooli mund të shkaktojë dehidratim dhe të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë veshkat. Gjithashtu, ai rrit tensionin e gjakut dhe ndikon negativisht në mëlçi – duke rënduar më tej funksionin e veshkave.
Sipas rekomandimeve, nuk duhet të konsumohet më shumë se 14 njësi alkooli në javë, të shpërndara përgjatë ditëve me disa ditë pa alkool.
- Pirja e duhanit
Duhani përmban substanca toksike si kadmiumi, që mund të dëmtojnë qelizat e veshkave. Ai ngushton enët e gjakut, nxit stresin oksidativ dhe rrit rrezikun për sëmundje si hipertensioni dhe diabeti – të dy faktorë kryesorë për sëmundjet e veshkave.
Nuk ka një nivel të sigurt të pirjes së duhanit – ndalimi i tij është zgjedhja më e mirë për shëndetin e veshkave dhe të përgjithshëm.
- Mbipesha
Mbipesha, veçanërisht dhjami rreth barkut, lidhet ngushtë me sëmundjet e zemrës dhe diabetin, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin e veshkave. Indet dhjamore çlirojnë substanca që mund të dëmtojnë indin renal.
Një BMI ndërmjet 18.5 dhe 24.9 konsiderohet i shëndetshëm. Dieta e balancuar dhe aktiviteti fizik – të paktën 30 minuta ushtrime aerobike, pesë herë në javë – janë mënyra të sigurta për të mbajtur veshkat në formë.
- Zgjedhjet e pashëndetshme ushqimore
Ushqimet shumë të përpunuara – si sallamrat, pijet e gazuara apo bukët e paketuar – përmbajnë kripë, sheqer, yndyra dhe aditivë që dëmtojnë trupin në shumë mënyra.
Ato lidhen me mbipeshën, diabetin tip 2 dhe, sipas studimeve të fundit, edhe me sëmundjet e veshkave.
Një studim amerikan me mbi 14,000 të rritur për 24 vjet tregoi se konsumuesit e shpeshtë të këtyre ushqimeve kishin 24% rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve kronike të veshkave.
Gjithashtu, konsumi i lartë i kripës dëmton balancën natrium–kalium, rrit tensionin e gjakut dhe dobëson funksionin e veshkave. Limitojeni në maksimumi 6 gramë (1 lugë çaji) kripë në ditë.
- Gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt
Gjumi ndikon në funksionin e të gjithë organeve, përfshirë veshkat.
Studimet tregojnë se më pak se 6 orë ose më shumë se 10 orë gjumë në natë mund të rrisin rrezikun për sëmundje kronike të veshkave.
Për shumicën e njerëzve, 7 deri në 9 orë gjumë cilësor në natë është intervali i rekomanduar.












