Nga buzëqeshja dhe hapi i parë, deri te përjetimi i një sërë emocionesh, fëmija juaj po kalon shumë momente të rëndësishme në fëmijërinë e tij.
Kjo është një periudhë rritjeje dhe të mësuari, dhe është koha ideale për të filluar mbështetjen e mirëqenies mendore të fëmijës tuaj.
Vendosja e themeleve për një jetë të lumtur dhe të shëndetshme
Fëmija juaj mbështetet te ju për dashuri, për të mësuar dhe për ndjenjën e sigurisë. Mundohuni të kaloni sa më shumë kohë cilësore së bashku. Krijimi i një marrëdhënieje të ngrohtë dhe të dashur, si dhe ndihma për ta bërë fëmijën të ndihet i sigurt dhe i përkujdesur, janë hapa shumë të rëndësishëm për të vendosur bazat për një jetë me shëndet të mirë mendor.
Bebet
Kalimi i kohës cilësore me fëmijën është i dobishëm për të dy ju. Madje, kjo shkakton lirimin e hormoneve natyrore që ndihmojnë në krijimin e lidhjes mes jush dhe përmirësojnë mirëqenien.
- Luani me ta, përqafojini.
- Flisni me ta, këndojuni.
- Përgjigjuni zërave të tyre me fjalë, në mënyrë që të fillojnë të kuptojnë gjuhën dhe komunikimin.
Fëmijët e vegjël (toddlers)
Ndërsa fëmija juaj fillon të lëvizë më shumë, dëshira e tij për të eksploruar rritet. Kjo kuriozitet kërkon inkurajim dhe mbështetje.
- Lexojini fëmijës suaj (nëse mundeni, çdo ditë).
- Luani lojëra që stimulojnë kureshtjen dhe procesin e të nxënit.
- Kërkojini të emërtojë gjëra – filloni me emrin e tij dhe objektet përreth. Mbajeni të thjeshtë.
- Eksploroni së bashku ambientet përreth shtëpisë.
Fëmijët parashkollorë
Ndërsa fëmija juaj bëhet më i pavarur dhe më kurioz, ai do të dëshirojë të eksplorojë botën përreth dhe të mësojë më shumë për gjërat që e rrethojnë. Ndërveprimi me njerëz të tjerë ndihmon në zhvillimin e mënyrës së tij të të menduarit dhe në kuptimin e botës.
- Nxitni ndërveprimin shoqëror përmes lojës me fëmijë të tjerë.
- Ftojini të ndihmojnë me punë të thjeshta të përshtatshme për moshën e tyre. Udhëzojini hap pas hapi për të zgjidhur probleme të vogla.
- Vendosni kufij të qartë dhe pritshmëri realiste. Pas fjalës “Jo”, jepuni një alternativë që preferoni ta bëjnë.
- Jepuni zgjedhje të qarta dhe të lehta për t’u kuptuar, kur duhet të vendosin për ushqim, veshje apo lojëra.
Çfarë të keni parasysh:
Fëmijët e vegjël janë në fazën e të mësuarit se si të shprehin ndjenjat dhe të menaxhojnë emocionet e forta. Kjo mund të shkaktojë ndonjëherë zemërim ose stres, sidomos kur nuk arrijnë të shprehin nevojat e tyre. Kur ndihen të stresuar ose të mbingarkuar, ata kanë nevojë për një të rritur të dashur që t’i qetësojë dhe t’i ndihmojë të përballen me ndjenjat.
Çfarë të shmangni:
- Çdo formë dhune, përfshirë bërtitjen dhe goditjen. Kur një fëmijë jeton në një ambient negativ, kjo mund të shkaktojë “stres toksik”, që dëmton rritjen dhe zhvillimin e tij, si dhe shkakton probleme afatgjata në të ardhmen.
- Konflikte të shpeshta midis prindërve ose njerëzve përreth fëmijës. Tensioni në ambient mund të jetë burim stresi për fëmijët. Ata mund të ndihen të neglizhuar, të pafuqishëm dhe të pambrojtur.
- Çdo formë neglizhimi. Fëmijët kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme, dashuri dhe përkujdesje për të pasur një zhvillim të shëndetshëm.
Mos harroni: Kujdesuni edhe për veten
Pavarësisht nëse jeni prind i një bebeje apo fëmije të vogël, do të përjetoni një gamë të gjerë emocionesh në momente të ndryshme – kjo është krejtësisht normale. Ndjenjat mund të përfshijnë gëzim, zhgënjim, lodhje dhe ankth. Kur ndiheni të mbingarkuar, merrni kohë për të menaxhuar stresin tuaj.
- Sigurohuni që të keni mbështetje shoqërore përreth vetes.
- Mundohuni të gjeni pak kohë vetëm për veten tuaj, për të krijuar hapësirë personale.
- Kujdesuni për gjumin, ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik.
- Një nivel i caktuar stresi është i zakonshëm për çdo prind të ri, por mos kini frikë të kërkoni ndihmë dhe të merrni kohë për të plotësuar nevojat tuaja. /UNICEF/













