Sht, Mar 28, 2026
Banner Top
Banner Top
A mjafton vetëm “ka ngrënë mirë, ka pirë mirë, ka fjetur mirë”? – Kiki Rrahmani

A mjafton vetëm “ka ngrënë mirë, ka pirë mirë, ka fjetur mirë”?

Jo, “e dashur”, për mua si nënë dhe për nënat si unë, kjo nuk mjafton!

Pjesën më të madhe të ditës, fëmijët tanë e kalojnë në kopsht, ndërsa ne prindërit jemi në punë, më shumë se 9 orë. Dhe 9 orë nuk janë pak për një fëmijë që nga mosha 9 muajshe deri në 5–6 vjeç. Që prej kur i kam nisur vajzat në kopsht që në moshën 9 muajshe, gjithmonë më ka intriguar se si i kalojnë ato këto orë, çfarë bëjnë përveç se hanë dy shujta (mëngjes dhe drekë) e dy zamra, apo si zhvillohet dita e tyre.

Shumë nëna me të cilat flas ndajnë të njëjtin mendim: disa e shprehin hapur, disa e mbajnë për vete, disa kanë fatin të dinë më shumë për përditshmërinë e fëmijës së tyre, disa jo.

Si gazetare, autore dhe PR Communication, gjithmonë më ka interesuar fëmijëria e hershme, qendrat mësimore e të kujdesit për fëmijët, zhvillimi emocional, psiko-social dhe fizik, sidomos nga mosha 3–6 vjeçare. Kam lexuar, hulumtuar, shkruar e avokuar në institucione për qendrat mësimore, duke monitoruar dhe raportuar mbi punën e tyre, me fëmijët gjithmonë në qendër. Duke e njohur një njëfarë mënyre këtë pjesë më shtyn të ndjek vazhdimisht zhvillimin e vajzave të mia, me të gjitha sfidat e moshës së tyre.

Një shkrim që kisha lexuar më ka mbetur në mendje: “Deri në moshën 3 vjeç fitohen shprehitë e fëmijës, ndërsa deri në 7 vjeç ndërtohet karakteri i tij”. Pra, si prind, çfarëdo që bën deri në atë moshë është thelbësore. Ndryshe e thënë shkurt e shqip: duhet t’i bësh “katër sy” përderisa je duke e përgatitur “brumin e flisë”, sepse kur piqet, më nuk ndërhyhet.

Në Kosovë, pjesa më e madhe e aktiviteteve në kopshte zhvillohet individualisht për shkak të mungesës së hapësirës; aktivitetet grupore ndodhë të jenë më të pakta. Fatkeqësisht, shpesh ato bëhen vetëm “për foto apo video”, sa për marketing. Shumë fëmijë shihen si numra, jo si vlera. Në videot e postuara nga shumë kopshte, fëmijët duken si robotë, duke ndjekur instruksionet e edukatoreve, por pyetja mbetet: a e kanë kuptuar ata aktivitetin, a ishte produktiv për ta? Gjuha e trupit të tyre shpesh flet më shumë se çdo gjë: pasiguria, shikimet, lëvizjet e hamendësuara, frika nga gabimi, etj, etj.

Sigurisht, ka edhe aktivitete të mira e kreative që më kanë pëlqyer, të cilat i kam përkrahur e shkruar për to. Por në përgjithësi, prindërit gjatë dorëzimit të femijëve nga ana e mësueseve dëgjojmë vetëm disa fraza të përsëritura: “ka ngrënë mirë, ka pirë mirë, ka fjetur mirë”. Po, e çfarë nëse fëmija nuk e ka kryer një aktivitet mirë? Para se të na mbyllet dera e kopshtit para syve, duke na bërë të ndihemi keq, sikur të ishim ‘mysafirë të paftuar’, na intereson më shumë se kaq: të dimë për zhvillimin, shoqërimin, emocionet e tyre, në përgjithësi për gjërat më esenciale që cdo prind do të duhej të ishte i informuar në lidhje me fëmijën e tij gjatë kohës sa qëndron në kopësht.

Kea Mel, vajza ime 4 vjeçare, para gjumit më tregon pothuajse gjithçka: çfarë ka parë, çfarë ka mësuar, çfarë i ka pëlqyer dhe cka jo. E ka shumë qejf pjesën para se të flejmë: gjithmonë më thotë ‘mami, kemi me bisedu bashkë, pastaj kam me fjetë’. O Zot, më jep edhe një palë veshë ta dëgjoj kur flet… nuk e di ku i gjen ato fjalë e ato shprehje. Ka një imagjinatë të paparë, më shkrin krejt, më lë pa tekst e pa fjalë. Shpesh e mbuloj me puthje e përqafime, e shpesh më vjen të qaj nga gëzimi. Ani, kur më thotë: ‘Mami, a e ke falënderu Zotin që më ka sjellë mua te barku yt e unë tash jam çika jote ma e mira, edhe lumturohesh shumë me mu?’, e shikoj dhe mendoj se çfarë mrekullie kam pranë… (nëse vazhdoj të flas për Kean, nuk di si me u ndalë…).” Vetëm kështu e kuptoj se sa shumë fëmijët perceptojnë, reflektojnë dhe na japin mësime çdo ditë edhe neve të rriturve.

Ajo që më ka bërë shumë përshtypje tash e disa javë te Kea Mel është mësuesja Elona – në fakt, mënyra se si më flet për të. Kea shprehet pa ngurrim.

‘Mësuesja Elona sot më ka dhënë bukë me djathë se nuk e kisha ngrënë mëngjesin. Mësuesja Elona është e bukur edhe i ka dhëmbët e bardhë. Sot nuk më merrte gjumi, se nuk doja të flija vetëm. Kur erdhi mësuesja Elona dhe ma kapi dorën, unë i mbylla sytë dhe më mori gjumi. Sot kështu ka qeshë mësuesja Elona…’ (dhe Kea e imiton, duke qeshur edhe vetë).

Mësuesja Elona më ka thënë: xhelozeeee…’ – (qesh nën zë Kea) – sepse një vajzë tjetër iu afrua, ndërsa unë doja të rrija pranë saj. Ndonjëherë më pëlqen t’i ndihmoj mësueses në punime, sepse nuk më rrihet në klasë ose në rreth, se më duket pa lidhje.

E pyeta: E pse të pëlqen mësuesja Elona?’
Kea më tha: ‘Më pëlqen sepse ajo nuk më shtin me bo gjëra që nuk dua e nuk më pëlqejnë. Kur i them mësueses jo, ajo më thotë: në rregull Kea, çka dëshiron të bëjmë, e bëjmë bashkë. Ndonjëherë, kur kërcejmë, luajmë, qeshim shumë ose bëjmë pak zhurmë, mësuesja na thotë: “Kujdes, se po e zgjoni klasën e bebeve nga gjumi.

Ky është një shembull i thjeshtë dhe i kuptueshëm për ta, që i mëson të kenë respekt për të tjerët dhe rëndësinë e mbajtjes së qetësisë.

Ndërkohë, në disa qendra të tjera mësimore që kam monitoruar, i njëjti mesazh u përcillet fëmijëve në forma jo të përshtatshme, shpesh duke përdorur shembuj që i bëjnë fëmijët të ndihen me frikë, në vend që të kuptojnë arsyen dhe vlerën e qetësisë.

Para se të flejmë në gjumë, i tregoj Keas se sa e mirë është, se duhet të ketë zemër të mirë, të sillet mirë, të jetë e dëgjueshme dhe se mami, babi e motra Rea Drisë e duam shumë, e kemi princeshë. Dhe, për çfarëdo që e shqetëson, duhet t’ia tregojë mamit ose babit. E përqafoj pa fund, derisa e merr gjumi

Të premten, më 05/09, kur shkova t’i marr vajzat në kopsht, pata fatin që Kean ma dorëzoi pikërisht mësuesja Elona. Me Elonën nuk kisha pasur rast më herët të bisedoj ose ta pyes për Kean në përgjithësi. Mirëpo, meqë Kea kishte qenë pak më e ngarkuar emocionalisht këto ditë, vendosa aty për aty ta pyes mësuesen për Kean, për mënyrën se si ajo ndërvepron në kopsht: a është e shoqërueshme, a ka ndonjë shoqe më të afërt, a merr pjesë me dëshirë në lojëra dhe aktivitete të grupit, a është kurioze, bën pyetje e shpreh mendime, sa arrin t’i kuptojë aktivitetet ditore që zhvilloni, sa orë fle gjumë dhe si flen, si dhe a e respekton rutinën e kopshtit?!

Gjatë bashkëbisedimit, mësuesja Elona u tregua një natyrë e çiltër, e dashur, pozitive, shumë e artikuluar dhe e arsyeshme në çdo përgjigje. Më foli në përgjithësi për rutinën e Keas në kopsht: si ndonjëherë nuk e respekton rrethin, ose nuk dëshiron të flejë apo të hajë vetëm, por edhe si sillet me fëmijët e tjerë, sa është e pjekur dhe si i kupton e i analizon gjërat përpara se të veprojë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte se në asnjë moment nuk krijoi paragjykime apo pasiguri në lidhje me një fëmijë 4-vjeçar si Kea. Përkundrazi, ndonëse e re në moshë, tregoi pjekuri, qetësi dhe arsye në komunikim. Pikërisht atëherë kuptova pse Keas i pëlqen kaq shumë mësuesja Elona.

E vlerësova shumë faktin që mësuesja më dha mundësinë të ndihem e lirë ta pyes për zhvillimin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës tim. Kur ekziston një raport korrekt mes prindit dhe mësueses, edhe fëmija ndihet i qetë dhe i mbrojtur, duke ditur se në duart e kujt po e lë prindi për orë të tëra. Uroj që në kopshtet tona të kemi sa më shumë “Elona” profesioniste në punën që bëjnë, të sinqerta, bashkëpunuese dhe mbi të gjitha të përkushtuara për të mirën e fëmijëve tanë.

Pas bisedës me mësuesen, vazhdova edhe një bisedë reflektuese me Kean, për ta ndihmuar që të ndihet sa më e qetë, e sigurt dhe e kënaqur në kopsht me shokët e shoqet e saj, duke i dëgjuar edhe mësueset. Sepse në fund të fundit, fëmijët tanë po i dërgojmë në kopsht e jo ushtri. Qëllimi nuk është t’u imponohen rregulla të rrepta, por të mësojnë se komunikimi reciprok krijon ura bashkëpunimi mes fëmijëve dhe mësueseve. Respekti dhe të dëgjuarit nuk arrihen duke i frikësuar fëmijët për t’u bindur, as duke i dënuar në “klasën e bebeve” apo duke u vendosur një pikë në dorë në vend të yllit ose zemrës si “shenjë ndëshkimi”.

Një fëmijë që lidhet me mësuesen përmes frikës ose ndëshkimit, jo përmes mbështetjes dhe kujdesit, rrezikon të ndihet “keq” ose “jo i mjaftueshëm”. Një shenjë në dorë nuk i shpjegon fëmijës çfarë ka bërë gabim dhe si duhet të sillet ndryshe thjesht e bën të frikësohet nga pasojat dhe të ndihet i turpëruar para shokëve. E kuptoj që ndonjëherë fëmijët nuk dëgjojnë menjëherë dhe kjo e bën punën më të vështirë, por më e rëndësishmja është se ata mësojnë shumë më tepër përmes shpjegimit dhe shembujve pozitivë, sesa përmes ndëshkimit.

Dhe krejt në fund, mos harroni: fëmijët na janë besuar nga Zoti. Ne kemi përgjegjësinë t’ju nxjerrim më të mirën e mundshme. Pikërisht aty shihet nëse jemi edhe vetë të edukuar dhe të rritur si prindër dhe si edukator/e.

Nga Kiki Rrahmani – nënë dhe profesioniste në fushën e komunikimit

Youtube

Arkiva

Kategoritë