Enj, Mar 26, 2026
Banner Top
Banner Top

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), është hapur zyrtarisht Shkolla Verore e 34-të e Konzorciumit Evropian të Trajnimeve në Shëndet Publik dhe Promovim të Shëndetit (ETC‑PHHP).

Kjo ngjarje po zhvillohet më 21–25 korrik 2025 në Shkrel të Rugovës, me temën qendrore “Komunikimi për Promovimin e Shëndetit”.

Në fjalën e saj hapëse, Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, theksoi rëndësinë e kësaj shkolle verore si një platformë e vlefshme për përvetësimin e njohurive të reja dhe shkëmbimin e përvojave mbi qasjet moderne të komunikimit në fushën e promovimit shëndetësor.

Rrjeti i ligjëruesve në këtë edicion përfshin profesorë dhe profesionistë të shëndetit publik nga disa vende evropiane, përfshirë edhe Prof. Merita Berishën, drejtoreshë e Departamentit të Mjekësisë Sociale në IKSHPK dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Pjesëmarrës në këtë program janë ekspertë nga IKSHPK, Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP), QKMF-të si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Gjatë pesë ditëve, ata do të diskutojnë qasjet bashkëpunuese për fuqizimin e komuniteteve të shëndetshme dhe të qëndrueshme, si dhe mjetet efikase të komunikimit në fushën e shëndetësisë publike.

Ky aktivitet mbështetet edhe nga asistenca teknike e AQH dhe AKPESH, duke dëshmuar përkushtimin institucional ndaj avancimit të praktikave bashkëkohore në promovimin e shëndetit publik në Kosovë dhe më gjerë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë