Pavarësisht numrit të kufizuar prej vetëm rreth 45 specialistësh, Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka kryer afër 20 mijë anestezione tek pacientët gjatë vitit 2024.
Kjo klinikë operon në katër njësi kryesore, Mjekimi Intensiv Qendror, Mjekimi Intensiv Kirurgjik, Gjysmë-intensiva në Klinikën e Gjinekologjisë, si dhe Njësia për trajtimin para dhe pas operacioneve.
Në Mjekimin intensiv qendror me 25 shtretër janë trajtuar 628 pacientë me shfrytëzueshmëri të shtretërve prej 100 për qind.
Në Mjekimin Intensiv Kirurgjik janë trajtuar 339 pacientë, ndërsa në Gjysmën-intensivën e Gjinekologjisë janë trajtuar mbi 4 mijë paciente.
Anesteziologët kanë performuar afër 20 mijë anestezione, rreth 2 mijë më shumë sesa në vitin 2019. Anesteziologët gjithashtu kanë kryer afër 130 mijë vizita specialistike.
“Numri i shtretërve në Mjekimin Intensiv të Përgjithshëm (MIQ) ka mbetur konstant në 25 shtretër. Numri i pacientëve të shtruar gjatë vitit ishte 339, me një shfrytëzim mesatar të kapaciteteve prej 100%, duke treguar një mbingarkesë në disa periudha të vitit. Dita mesatare e shërimit për pacientët në MIQ ishte 14.7 ditë, duke reflektuar kompleksitetin e rasteve të trajtuara. Numri i pacientëve të ndërruar jetë në kuadër të MIQ ishte 277, duke treguar se klinika trajton raste me shkallë të lartë rrezikshmërie”, thuhet në raportin e punës të SHSKUK-së për vitin 2025.













