Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë.
Nagavci tha se mbi 300 mijë nxënës sot kanë filluar mësimin dhe se për herë të parë në Kosovë edhe klasa parashkollorë është e detyrueshme.
“Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim, angazhim dhe me përkushtim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor”.
“Sivjet në të gjitha shkollat, në të gjitha komunat , për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga mosha pesë deri në gjashtë vjet, pra për parashkollorët. Ishim sot këtu në vizitën e parë, në klasën e parashkollorëve që të shohim se a kanë arritur suksesshëm që të bëhen përgatitjet”, tha Nagavci.
Ajo ka thënë se nuk ka pasur ndonjë shqetësim nga komunat dhe se janë në kontakt me të gjitha komunat, ajo tha se edhe furnizimi me libra ka shkuar mire këtë vit.
“Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë”, u shpreh Nagavci.
“Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim. Kërkesat që janë paraqitur nga prindërit ose kujdestarët ligjorë janë shqyrtuar”, ka thënë Nagavci.