7% do të jetë shuma e të ardhurave që do të shkojnë për Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Kjo vlerë do të ndahen mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, me nga 3.5% secili.
Kështu ka njoftuar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitiadje pasi që Qeveria miratoi projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Kostoja shtesë për qytetarët do të jetë një mbledhje e kontributeve shtesë në emër të solidaritetit që të shtohet buxheti për shëndetësi. 7% do të jenë të ardhurat të cilat do të arkëtohen në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ku 3.5% do të jenë nga paga e qytetarëve dhe 3.5% nga punëdhënësi” – tha Vitia në konferencë për media.
E njëjta shumë është e paraparë edhe me Ligjin e vitit 2014, i cili vazhdon të jetë në fuqi, ndonëse i pazbatuar plotësisht.
Ministri pranoi se ka pasur vonesa për këtë projektligj, por tha se kjo ka ndodhur për të marrë parasysh çdo këshillë, kritikë e sugjerim që e kanë dhënë qytetarët e sidomos ata që merren me shëndetësi.
Një nga kriteret kryesore, parakusht për funksionalizimin e plotë të sigurimeve shëndetësore është edhe Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili po ashtu nuk është funksionalizuar ende.
Vitia tha se kanë nënshkruar marrëveshjen me Bankën Botërore për financimin e planit të veprimit, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit për SISh-in. Kjo marrëveshje duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
“Në vitin 2023 ka përfunduar studimi i fizbilitetit diku nga shtatori, tetori i vitit të kaluar dhe menjëherë është hartuar një plan i veprimit dhe para pak muajsh me ndihmën e Ministrit Hekuran Murati kanë përfunduar të gjitha negociatat dhe është nënshkruar marrëveshja me bankën botërore për financimin e këtij plani të veprimit dhe shpresojmë shumë që ajo të procedohet sa më shpejt në Kuvend dhe sapo të votohet do të vazhdojmë me investime” – tha ai.
Ministri përmendi edhe pilot-projektin për zgjedhjen e mjekut familjar përmes platformës E-Kosova në disa komuna, digjitalizimin e sistemit të raportimit të sëmundjeve ngjitëse në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të sistemeve në sportelet e reja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Krejt këto, ai tha se do të integrohen në SISh, në të ardhme.
Kreu i shëndetësisë, në prill të këtij viti pati thënë se duhen dy vite funksionalizimin e SISh-it e katër vite për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.
Mos plotësimin e këtij premtimi që ai e pati dhënë në fushatën zgjedhore të vitit 2019, Arben Vitia e ka arsyetuar me pandeminë COVID-19, për të cilin tha se ka ndryshuar prioritetet.
Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë, Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani në vitin 2014 pati premtuar se në vitin 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve, të nevojshme për mbushjen e fondit për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, ish-Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë në korrik të vitit 2015 se po punojnë që sigurimet shëndetësore të bëhen në pjesën e dytë të 2016.
Edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pati deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet dhe nga 01.07.2017 do të fillojnë sigurimet shëndetësore.