Një grua është lënduar pasi është goditur nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në lagjen Arbëria, të enjten.
Pasi ka marrë ndihmës e parë nga një ekip i Qendrës së Mjekësisë Urgjente (QMU), pacientja është dërguar me shenja jete në Klinkën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë drejtori i QMU-së, Avdyl Pacolli, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Flitet për një qytetare, viti i lindjes 2000, e cila ka pësuar një politraumë. Përveç kësaj, e ka pësuar edhe një plagë në kokë. Ekipet tona kanë mbërritur për rreth gjashtë minuta në vendin e ngjarjes, pas thirrjeve nga qytetarët dhe policia, dhe më pas, porsa kanë arritur në vendin e ngjarjes, ekipet tona kanë filluar ta trajtojnë pacienten, realisht kanë arritur të bëjnë pastrimin e plagës, kanë arritur ta trajtojnë, sepse ajo është politraumë dhe mund të ketë fraktura të shumta”, tha Pacolli për REL-in.











