Ditëve të fundit, sidomos gjatë natës apo në orët e hershme të mëngjesit, në Kosovë po vërehet një mjegull e dendur.
Kjo po vështirëson qarkullimin e shoferëve, të cilët po kanë dukshmëri të zvogëluar të rrugës.
E në lidhje me këtë çështje, Asociacioni Kosovar i Motorizimit ka dhënë pesë këshilla se si duhet të vozitet në mjegull.
Komunikata e plotë:
Ngasja e automjetit gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit si pasojë e ndryshimit të temperaturave sezonale është më e rrezikshme, andaj të gjithë shoferët duhet të kanë kujdes të shtuar. Gjatë kësaj periudhe me prezencë të mjegullës në rrugë ngasja mund të jetë e rrezikshme sepse dukshmëria është e zvogëluar dhe kjo mund të kontribuojë në shkaktimin e aksidenteve në trafik. Për të qenë gjithmonë të sigurt gjatë ngasjes, Asociacioni Kosovar i Motorizimit AMRKS jep këto pesë këshilla për ngasjen në mjegull:
Ngadalësoni nëse dukshëria është e kufizuar ose ndërpreni ngasjen dhe largoni automjetin tuaj nga rruga. Nëse pamja (shikimi) është e kufizuar për shkak të mjegullës zvogëloni dhe përshtateni shpejtësinë tuaj sipas kushteve të rrugës sepse prezenca e mjegullës së dendur maskon ndjesinë e shpejtësisë gjatë ngasjes.
Përdorni dritat me rreze të shkurtë. Kur pamja është e kufizuar, tendenca natyrore e një shoferi është të aktivizojë dritat me rreze të lartë (dritat e gjata). Ngasja e automjetit me drita të ndezura me rreze të lartë reflekton jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj.
Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa të ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.
Për orientim gjatë ngasjes në mjegulle përdorni vijën e djathtë afër trotuarit si një udhëzues. Në mjegull të dendur, orientohuni në vijat e shënuara në anën e djathtë të rrugës si një udhëzues. Mos përdorni për orientim vijën e bardhë të mesit të rrugës sepse duke vepruar kështu do të rrezikoni duke ju ofruar më afër automjeteve që vijnë nga kahja e kundërt, të cilat kanë vështirësitë e njëjta sepse nuk shohin mjaftueshëm se ku po shkojnë.
Mos u ndalni në rrugë. Kur nuk mund ta shihni se ku po shkoni edhe pse një reagim i natyrshëm është që të ngadalësoni ose të ndaloni automjetin. Në mjegull, mos u ndalni kurrë në rrugë. Gjeni një vend të sigurt jashtë shiritit rrugor për ta ndalur automjetin tuaj, sa më larg trafikut të jetë e mundur dhe fikni dritat. Lënia e dritave ndezur mund të mashtrojë shoferët e tjerë që janë pas jush sepse ata kur të shohin dritat e ndezura të automjetit tuaj do të mendojnë se jeni në lëvizje në shiritin rrugor dhe kjo mund të shkaktojë aksident trafiku.
#sigurianerruge Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport Forumi i Instruktorëve të Shoferëve të Kosovës