Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
“Karvani i vaksinimit” – mbi 30 qytetarë në Fushë-Kosovë vaksinohen kundër Covid-19 e gripit sezonal

Ministria e Shëndetësisë ka filluar me aktivitetin “Karvani i vaksinimit”, raporton Ekonomia Online. Ky aktivitet, i nisur në Fushë-Kosovë, do të zgjasë deri në mes të muajit shkurt me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19.

Faik Hoti, udhëheqës i Departamentit të Zhvillimit Strategjik, tha se qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër Covid-19 edhe me dozat bivalente përforcuese.

Ai më tej shtoi se ka pasur interesim të qytetarëve që të marrin të dy llojet e vaksinës, duke shtuar se me këtë aktivitet do të vazhdojnë edhe në qytetet e tjera.

“Sot ka filluar ‘Karvani i vaksinimit’, aktivitet shtesë ky i vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, i mbështetur nga OBSh. Pat një interesim të mirë të qytetarëve të Fushë-Kosovës për t’u vaksinuar qoftë kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19 dhe kësisoj do të vazhdojë nëpër komunat tjera”, tha Hoti.

Doktoresha e QKMF-së në Fushë-Kosovë, Fitnete Ferizi, u shpreh e habitur me interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar, duke sqaruar se vaksinat i kanë marrë mbi 30 persona.

“Jemi të habitur me interesimin e qytetarëve, kemi mbi 30 qytetarë të vaksinuar me vaksinë kundër gripit sezonal dhe kundër Covid-19. Pra sot kemi qenë edhe më afër qytetarëve”, tha ajo.

Objektivat e “Karvanit të vaksinimit” janë:

Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër Covid-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;

Sigurimi që vaksinimi kundër Gripit sezonal dhe Covd-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;

Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit./EO

Youtube

Arkiva

Kategoritë