Pre, Mar 27, 2026
Banner Top
Banner Top
5 mënyra për të përballuar mbingarkesën nga stresi

Vera ka përfunduar, pushimet duken si një kujtim i largët dhe papritur bota është kthyer në ritmin e saj të zakonshëm.

Ndërkohë ajo ndjesia e rikthimit në rutinë mund të bëjë shumë prej nesh të ndjehemi të lodhur dhe të mbingarkuar.

Stresi, në doza të vogla, mund të na ndihmojë të qëndrojmë të përqendruar, por nëse nuk e kontrollojmë, mund të dëmtojë shëndetin, humorin dhe marrëdhëniet tona, raporton BBC.

Kortizoli, i njohur shpesh si “hormoni i stresit”, është bërë një term i zakonshëm në fjalorin e mirëqenies, por është e rëndësishme të kuptojmë se ai nuk është armiku. Në fakt, ai luan një rol thelbësor në organizmin tonë, na ndihmon të zgjohemi në mëngjes, të qëndrojmë të përqendruar dhe të përballojmë sfidat e përditshme.

Sekreti është ta mbajmë në ekuilibër, jo ta eliminojmë plotësisht stresin.

Ja pesë mënyra të thjeshta, të mbështetura nga shkenca, për të menaxhuar stresin dhe për të rimarrë kontrollin:

1. Mos e lejo stresin të të kontrollojë

Ironikisht, shqetësimi për pasojat e stresit mund ta përkeqësojë atë.

Sa më shumë flasim për dëmet që sjell stresi, aq më shumë fillojmë të mendojmë: “Oh jo, tani jam i stresuar dhe kjo po më dëmton”, prandaj përpiqu të mos shqetësohesh për mënyrën si po ndihesh.

Stresi është një pjesë normale e jetës dhe është i paevitueshëm, sidomos gjatë periudhave të vështira si humbja e një të dashuri, kujdesi për familjarë, rritja e fëmijëve apo pasiguria në punë.

Në vend që të panikosesh që je i stresuar, pranoje si pjesë të jetës dhe kujtoje veten se nuk do të zgjasë përgjithmonë.

2. Merru me aktivitet fizik

Mënyra më e mirë për të menaxhuar stresin fizikisht është aktiviteti fizik.

Ushtrimet i bëjnë trupit të njëjtën gjë që bën edhe stresi; rrisin rrahjet e zemrës, tensionin e gjakut, frymëmarrjen dhe lëshimin e adrenalinës e kortizolit.

Duke ushtruar, trupi mëson si të përballojë këto rritje të kortizolit dhe të përgatitet më mirë për stresin e jetës së përditshme.

Nëse të streson mendimi se çfarë ushtrimesh duhet të bësh apo cilin palestër të zgjedhësh, mos harro se çdo formë ushtrimi është e mirë.

Nuk ka nevojë të jetë diçka intensive apo që merr shumë kohë. Një shëtitje, vrap i lehtë apo çdo aktivitet që të pëlqen do të kryejë punë.

3. Jepi përparësi gjumit

Përpiqu të flesh më herët dhe të zgjohesh në të njëjtën orë çdo ditë që trupi të krijojë një rutinë.

Nëse e gjen veten duke u kthyer nga një anë në tjetrën natën dhe nuk arrin të biesh në gjumë, mos u brengos.

Trupi mund të funksionojë edhe me më pak gjumë përkohësisht dhe me kohë ritmet natyrore do të rikthehen në vend.

4. Fokusohu te vetja

Menaxhimi i stresit nuk ka të bëjë vetëm me shmangien e gjërave negative por edhe me ndërtimin e vetes.

Prandaj sigurohu që të ushqehesh mirë, me shumë fruta, perime, ushqime të plota dhe proteina cilësore për të ushqyer trupin.

Gjithashtu përpiqu të gjesh kohë vetëm për veten, ku mund të relaksohesh dhe të rimbushesh me energji.

Mindfulness-i (vëmendja e vetëdijshme) gjithashtu mund të ndihmojë. Nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e një aplikacioni meditimi apo qëndrimin në heshtje. Bëhet fjalë për të qenë i qëllimshëm në mënyrën se si përballesh me jetën tënde.

Merr disa minuta për të menduar për ditën apo javën që të pret, për sfidat që mund të vijnë dhe si mund të ecesh me ritëm të qëndrueshëm.

5. Fol për të

Të gjithë shqetësohemi për para, punë apo familje.

Këto shqetësime mund të bëhen të papërballueshme kur i mbajmë për vete, prandaj ndarja me dikë të besuar mund ta lehtësojë barrën dhe të të japë një perspektivë tjetër, edhe nëse nuk të jep një zgjidhje të menjëhershme.

Ndonjëherë, vetëm ta thuash me zë të lartë e bën problemin të duket më i përballueshëm. /BBC/

Youtube

Arkiva

Kategoritë