Mundësitë për të mësuar gjenden në çdo cep, madje edhe në shtëpinë tuaj. Të luani së bashku është një mënyrë e shkëlqyer për të zbuluar gjëra të reja dhe për të zhvilluar aftësi të rëndësishme. Provoni t’i praktikoni idetë e mëposhtme me fëmijët tuaj për të ushtruar aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Kush do ta mendonte që të mësuarit mund të ishte kaq argëtues?
1. Rrugë me libra
Ndërtoni një rrugë nëpër shtëpinë tuaj me libra. Ky aktivitet zbavitës ndihmon në zhvillimin e aftësive motorike, krijuese dhe të zgjidhjes së problemeve.
Ju nevojiten: Sa më shumë libra që të mund të gjeni. Një makinë lodër ose një top. Pse të mos ndërtoni një makinë duke përdorur tulla LEGO?
- Filloni duke vendosur libra me kopertinë të butë në dysheme për të ndërtuar një rrugë nëpër shtëpi.
- Librat me kopertinë të fortë janë të shkëlqyer për ndërtimin e gjërave që duhet të qëndrojnë drejt, si tunele apo ura.
- Lërini librat të nxisin imagjinatën tuaj. Ndërtoni një shtëpi me çati dhe shtoni një kodër ose një rrethrrotullim.
- Është bota juaj, ndaj bëhuni krijues.
2. Era
Eksploroni dhe pikturoni duke përdorur fuqinë e erës. Ky aktivitet me erën është një mënyrë e mrekullueshme për të kuptuar lëvizjen dhe hapësirën përmes ndjesive shqisore.
Ju nevojiten: Tulla LEGO, gjethe të thata, copa kartoni dhe letre, tuba (ose kallama) me madhësi të ndryshme, bojë, gurë ose objekte të vogla.
- Fillimisht, mendoni dhe flisni për erën përpara se të përdorni fuqinë e saj. A mund ta shihni? A mund ta ndjeni? Si duket në flokët apo në lëkurën tuaj?
- Merrni një copë kartoni ose një gjethe, mbyllni sytë dhe fryjeni duke përdorur fuqinë e erës.
- Tani shikoni se si funksionon era me gjëra më të rënda. Provoni të fryni objekte më të rënda si tulla LEGO ose gurë dhe shihni çfarë ndodh.
- Është koha për të krijuar një pikturë me erë. Është e lehtë. Thjesht përdorni një kallam për të fryrë bojën mbi letër. Mund të gjurmoni edhe formën e objekteve duke fryrë bojën rreth tyre.
3. Aeroplanë prej letre
A mund të ndërtoni një aeroplan që fluturon? Provoni këtë lojë zbavitëse me aeroplanë letre që ndihmon fëmijët të mësojnë të zgjidhin probleme duke testuar ide, të ushtrojnë përqendrimin dhe të përballen më mirë me zhgënjimet. Mund ta bëni edhe më sfiduese duke shtuar peshë në aeroplanin tuaj.
Ju nevojiten: Letra me madhësi, ngjyra dhe trashësi të ndryshme, gërshërë, stilolapsa dhe ngjitës.
- Çdo lojtar merr një copë letre. Mendoni se çfarë e bën një aeroplan të mirë. Mund ta diskutoni së bashku.
- Individët ose ekipet ndërtojnë aeroplanin e tyre prej letre dhe e lëshojnë të fluturojë.
- Si shkoi? Provoni një model tjetër dhe shikoni nëse fluturon më larg.
- Mund ta zbukuroni aeroplanin nëse dëshironi ose t’i vendosni një emër.
- Kur të gjithë të jenë të kënaqur me aeroplanët e tyre, bëni një garë. Kujt i fluturon më larg? Kujt bën truke? Cili duket më bukur? /UNICEF/












