Pre, Tet 30, 2026
Banner Top
Banner Top
29 Tetori – Dita Botërore e Sulmit në Tru

Më 29 tetor shënohet Dita Botërore e Sulmit në Tru, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për një nga urgjencat më serioze shëndetësore, rëndësinë e parandalimit dhe identifikimin e hershëm të simptomave.

Sulmi në tru ndodh kur furnizimi me gjak i një pjese të trurit ndërpritet për shkak të bllokimit të një ene gjaku ose kur një enë gjaku çahet dhe shkakton gjakderdhje. Si pasojë, qelizat e trurit nuk marrin oksigjenin e nevojshëm dhe fillojnë të dëmtohen.

Cilat janë shenjat e sulmit në tru?

Simptomat zakonisht shfaqen papritur dhe mund të përfshijnë:

  • Mpirje ose dobësi të papritur të fytyrës, krahut apo këmbës, veçanërisht në njërën anë të trupit.
  • Vështirësi në të folur ose në kuptimin e fjalëve.
  • Probleme të papritura me shikimin.
  • Marramendje dhe humbje të ekuilibrit.
  • Dhimbje koke të fortë dhe të papritur, pa ndonjë shkak të njohur.

Një mënyrë e thjeshtë për t’i identifikuar shenjat është metoda FAST:

  • F – Face (Fytyra): A është njëra anë e fytyrës e varur kur personi buzëqesh?
  • A – Arms (Krahët): A ka vështirësi personi t’i ngrejë të dy krahët?
  • S – Speech (Të folurit): A ka vështirësi në shqiptimin e fjalëve?
  • T – Time (Koha): Nëse vërehet ndonjëra nga këto shenja, duhet të thirret menjëherë emergjenca.

Edhe nëse simptomat zhduken pas disa minutash, kërkohet vlerësim urgjent mjekësor.

Cilët janë faktorët e rrezikut?

Sulmi në tru mund t’i ndodhë kujtdo, por disa faktorë e rrisin ndjeshëm rrezikun. Ndër më të rëndësishmit janë:

  • Tensioni i lartë i gjakut.
  • Diabeti.
  • Kolesteroli i lartë.
  • Pirja e duhanit.
  • Mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik.
  • Sëmundjet e zemrës, veçanërisht fibrilacioni atrial.
  • Mosha dhe historia e mëparshme e sulmit në tru.

Si mund të parandalohet?

Kontrollimi i rregullt i tensionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit është ndër masat më të rëndësishme parandaluese. Gjithashtu, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, shmangia e duhanit dhe trajtimi i sëmundjeve ekzistuese ndihmojnë në uljen e rrezikut.

Sipas vlerësimeve globale, rreth një në katër të rritur pritet të përjetojë sulm në tru gjatë jetës.

Mesazhi kryesor i kësaj dite është se çdo minutë ka rëndësi. Njohja e simptomave dhe kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore mund të shpëtojnë jetë dhe të parandalojnë pasoja të rënda shëndetësore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë