Vanessa Trump, ish-bashkëshortja e Donald Trump Jr., ka rrëfyer se lodhja e pazakontë ishte një nga shenjat e para që përjetoi para se të diagnostikohej me kancer të gjirit.
Në një intervistë së bashku me vajzën e saj, Kai Trump, dhe doktoreshën Nicole Saphier, Vanessa tregoi se për rreth gjashtë muaj ndihej jashtëzakonisht e rraskapitur, edhe pas aktiviteteve të thjeshta të përditshme, si dalja për të marrë një kafe në Starbucks.
Ajo theksoi se lodhja mund të neglizhohet lehtësisht, veçanërisht nga nënat, të cilat shpesh e konsiderojnë rraskapitjen pjesë normale të përditshmërisë.
Pas diagnostikimit, Vanessa iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e tumorit dhe të një pjese të vogël të indit përreth, si dhe trajtimit me rrezatim.
Sipas saj, sëmundja nuk lidhej me faktorë gjenetikë, por me faktorë mjedisorë.
Ajo bëri të ditur se rezultatet e rezonancës së fundit magnetike kanë qenë të mira dhe se aktualisht nuk ka shenja të sëmundjes. Megjithatë, gjatë pesë deri në dhjetë viteve të ardhshme, do t’i duhet t’i nënshtrohet kontrolleve të rregullta për të monitoruar gjendjen e saj shëndetësore.
Vanessa e bëri publike diagnozën në maj, rreth një muaj pasi kishte mësuar se vuante nga kjo sëmundje. Në atë kohë, ajo tregoi se po bashkëpunonte ngushtë me ekipin mjekësor dhe se kishte mbështetjen e familjes dhe të njerëzve të afërt.
Përmes rrëfimit të saj, Vanessa synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Ajo u bën thirrje grave që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të mos i neglizhojnë ndryshimet apo simptomat e pazakonta që mund të vërejnë në trupin e tyre.













