Zhvillimi i disa zakoneve, si mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit dhe kufizimi i ekspozimit ndaj dritës blu para se të flini, mund të përmirësojë higjienën e gjumit dhe të nxisë një gjumë cilësor.
A ju ka ndodhur ndonjëherë të shikoni tavanin duke menduar nëse do t’iu zë ndonjëherë gjumi? Apo të zgjoheni duke menduar se është koha për t’u ngritur, por në fakt ora është 2 e mëngjesit?
Nëse keni nevojë për gjumë më të mirë, ndoshta është koha të merrni në konsideratë higjienën e gjumit dhe mënyrën se si zakonet tuaja mund t’ju pengojnë të bëni gjumin cilësor që ju nevojitet.
Çfarë është higjiena e gjumit?
Higjiena e gjumit i referohet zakoneve të shëndetshme të gjumit që ndihmojnë për një gjumë të mirë gjatë natës. Këto zakone nxisin një rutinë të rregullt dhe të qëndrueshme, e cila ndihmon në rregullimin e ritmit cirkadian të trupit, pra “orës” së brendshme që kontrollon gjumin dhe zgjimin.
Higjiena e mirë e gjumit është e rëndësishme për shkak të rolit thelbësor që ka në ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik, si dhe në cilësinë e përgjithshme të jetës.
Ajo mund të përfshijë sjellje që një person i bën para gjumit, por edhe sjellje që i praktikon gjatë ditës, si për shembull:
- rutinat e mbrëmjes
- zgjedhjet e ushqimit dhe pijeve
- menaxhimi i stresit
1. Mbani një orar të qëndrueshëm të gjumit
Mundohuni të flini dhe të zgjoheni përafërsisht në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavës. Kjo e përforcon ciklin e gjumit të trupit dhe e bën më të lehtë për ju të bini në gjumë dhe të zgjoheni çdo ditë.
Respektimi i një orari të qëndrueshëm mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e përgjumjes gjatë ditës.
Sigurohuni që ora e gjumit që zgjidhni t’ju lejojë të flini 7 deri në 9 orë çdo natë.
2. Krijoni një rutinë relaksuese para gjumit dhe qëndroni besnik ndaj saj
Një rutinë qetësuese para gjumit ju ndihmon të çlodheni dhe të përgatiteni për gjumë. Kjo mund t’ju ndihmojë të bini në gjumë më shpejt.
Llogaritni rreth 60 minuta për rutinën tuaj para se të flini. Rutinën mund ta përbëjë çdo gjë që ju bën të ndiheni të relaksuar, përveç aktiviteteve që përfshijnë pajisje që lëshojnë dritë blu.
Disa ide përfshijnë:
- Bëni një banjë ose dush të ngrohtë: uji i ngrohtë është relaksues në moment dhe rënia e temperaturës së trupit më pas mund t’ju bëjë të ndiheni të përgjumur.
- Provoni shtrirje të lehta: shtrirjet ndihmojnë muskujt të çlodhen dhe të lirojnë tensionin. Disa persona preferojnë edhe forma relaksuese të jogës.
- Meditimi: edhe disa minuta meditim mund të ndihmojnë në qetësimin e trupit dhe mendjes.
- Muzikë relaksuese: dëgjoni muzikë të qetë ose tinguj ambientalë, duke u përqendruar te frymëmarrja.
- Leximi: kaloni kohë duke lexuar një libër, por shmangni pajisjet elektronike që lëshojnë dritë blu.
Shmangni gjithçka që është stresuese ose tepër stimuluese, si bisedat emocionale apo puna.
3. Ndërprisni përdorimin e pajisjeve elektronike para se të flini
Pajisjet elektronike, si telefoni, lëshojnë dritë të fortë që mund të ndikojë në nivelet e melatoninës në trup. Melatonina është hormoni që rregullon ciklin gjumë-zgjim dhe funksionon në mënyrë të ngjashme me efektin që ka drita e diellit në rritjen e gjallërisë.
Pajisjet gjithashtu mund ta mbajnë trurin aktiv, edhe kur nuk i përdorni drejtpërdrejt. Për shembull, njoftimet, zhurmat dhe drita e telefonit pranë shtratit mund ta ndërpresin gjumin tuaj.
Mbajtja e telefonit pranë mund t’ju nxisë ta përdorni më shpesh, sidomos nëse keni vështirësi të bini në gjumë, duke krijuar një rreth vicioz.
Për të zvogëluar ndikimin e pajisjeve elektronike në gjumë, mund të:
- fikni pajisjet e panevojshme gjatë natës
- përdorni filtra të dritës blu në ekrane
- mbani telefonat jashtë dhomës së gjumit
- përdorni cilësimet e pajisjeve për të kufizuar zhurmën, dritën dhe njoftimet
4. Ushtroni rregullisht
Edhe vetëm 10 minuta ecje në ditë mund të përmirësojnë cilësinë e gjumit dhe shëndetin e përgjithshëm. Ushtrimet në ambient të hapur gjatë ditës mund t’i shtojnë përfitimet, pasi ekspozimi ndaj dritës natyrore ndihmon në rregullimin e ciklit të gjumit.
Nëse nuk mund të dilni jashtë, mos u shqetësoni. Edhe aktiviteti fizik brenda ambienteve ndihmon në gjumë më të mirë.
Megjithatë, shmangni ushtrimet fizike 3 orë para gjumit, pasi aktiviteti fizik rrit gjallërinë dhe mund ta bëjë më të vështirë rënien në gjumë. Nëse dëshironi të lëvizni në mbrëmje, zgjidhni shtrirje ose joga.
5. Kufizoni marrjen e kafeinës
Efektet e kafeinës mund të zgjasin deri në 8 orë pas konsumimit. Kjo do të thotë se kafeja e pasdites mund t’ju mbajë zgjuar më gjatë sesa dëshironi.
Zakonisht rekomandohet që kafeina të konsumohet vetëm në orët e paradites, por duhet pasur parasysh se toleranca ndaj saj ndryshon nga personi në person. Disa mund ta konsumojnë edhe deri në mesditë, ndërsa të tjerë duhet ta ndërpresin shumë më herët për të fjetur lehtë.
Sa më pak kafeinë të konsumoni, aq më i ndjeshëm mund të bëheni ndaj efekteve të saj.
6. Përshtatni ambientin e gjumit sipas nevojave tuaja
Mënyra se si e organizoni ambientin e gjumit mund t’ju ndihmojë të bini në gjumë dhe të qëndroni në gjumë më lehtë.
Për shumicën e njerëzve, temperatura ideale e dhomës së gjumit është rreth 18 deri në 20 gradë Celsius.
Është gjithashtu e rëndësishme të keni dyshek, jastëkë dhe çarçafë të rehatshëm. Sa më rehat të ndiheni, aq më e lehtë bëhet rënia dhe qëndrimi në gjumë.
Nëse jeni gjumash lehtë ose keni fqinjë të zhurmshëm, tapa për veshët ose një pajisje me zhurmë të bardhë mund t’ju ndihmojnë të flini pa ndërprerje.
Nëse dhoma ka shumë dritë, përdorni perde që bllokojnë dritën ose maskë për sytë.
7. Përdorni shtratin vetëm për gjumë dhe marrëdhënie intime
Kur keni një shtrat të rehatshëm, mund të tundoheni ta përdorni për lexim, punë, telefonata apo shikim televizori. Megjithatë, përpiquni ta përdorni shtratin vetëm për gjumë dhe marrëdhënie intime.
Kjo ndihmon trurin tuaj ta lidhë shtratin me gjumin, duke e bërë më të lehtë relaksimin. Edhe pse leximi mund t’ju relaksojë, ndonjëherë librat mund ta mbajnë trurin aktiv. Mund të lexoni në divan dhe të kaloni në shtrat vetëm kur ndiheni gati për gjumë.
8. Shkoni në shtrat vetëm kur ndiheni të lodhur
Nëse nuk ndiheni të lodhur, shmangni qëndrimin në shtrat duke u rrotulluar. Në vend të kësaj, bëni një aktivitet relaksues derisa të filloni të ndiheni të përgjumur.
Nëse nuk bini në gjumë për një kohë të gjatë pasi keni shkuar në shtrat, ngrihuni. Pamundësia për të fjetur mund të shkaktojë frustrim ose stres, duke ju mbajtur zgjuar edhe më gjatë.
Pasi të ngriheni, bëni diçka që ju ndihmon të çlodheni, si leximi në divan ose shtrirjet e lehta, derisa të jeni gati të ktheheni në shtrat.
9. Kufizoni gjumin e ditës ose shmangeni nëse është e mundur
Gjumi gjatë ditës mund ta bëjë më të vështirë rënien në gjumë gjatë natës dhe të rrisë gjasat për zgjime të shpeshta. Nëse keni nevojë të flini gjatë ditës, kufizojeni gjumin në 20 minuta ose më pak dhe shmangeni pasditen vonë.
10. Menaxhoni stresin para gjumit
Mendimet për gjërat që ju shqetësojnë mund t’ju mbajnë zgjuar gjatë natës. Për ta parandaluar këtë:
- Shkruajini shqetësimet: shënoni detyrat ose shqetësimet para gjumit për t’i nxjerrë nga mendja. Vendosni përparësitë për ditën dhe javën në vijim, pastaj përpiquni të relaksoheni.
- Provoni batanije me peshë: disa persona i gjejnë ndihmuese për ankthin dhe pagjumësinë.
- Meditoni: meditimi para gjumit mund të ndihmojë në qetësimin e mendjes.
11. Kufizoni vaktet e mëdha para gjumit
Ngrënia e një vakti të rëndë para gjumit mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit dhe të shkaktojë simptoma të refluksit acidik, të cilat ju mbajnë zgjuar.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu shmangien e alkoolit dhe nikotinës, veçanërisht para gjumit, pasi ato mund ta përkeqësojnë gjumin.
12. Menaxhoni ekspozimin ndaj dritës
Kalimi i kohës në dritë natyrore ndihmon në rregullimin e ritmit cirkadian. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë të paktën 30 minuta ekspozim të sigurt ndaj diellit gjatë ditës, idealisht në orët e mëngjesit.
Kufizimi i dritës pas perëndimit të diellit mund të përmirësojë gjumin dhe të mbështesë prodhimin e hormoneve të nevojshme për të fjetur. Këtë mund ta bëni duke:
- përdorur ndriçim të ngrohtë në ambientet ku qëndroni para gjumit
- fikur dritat e panevojshme në orët e mbrëmjes
- zbehur ndriçimin disa orë para gjumit, nëse është e mundur
- vendosur pajisjet elektronike në modalitetin “natë” pas perëndimit të diellit për të reduktuar dritën blu
Nëse punoni me turne, mund të ndërmerrni hapa të veçantë për të menaxhuar ekspozimin ndaj dritës dhe për të mbështetur gjumin.













