Universiteti i Prishtinës (UP) ka njoftuar se duke filluar nga data 2 shkurt do të ofrojë kurse të gjuhës japoneze për studentët dhe personelin e UP-së dhe gjithë ata që janë të interesuar për të ndjekur këto kurse.
“Këto kurse do të mbahen nga lektorë japonezë në ambientet e Qendrës së Gjuhëve të UP-së dhe u dedikohen studentëve, personelit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës, ndërsa janë të hapura edhe për të gjithë ata që dëshirojnë të përfitojnë njohuri të reja gjuhësore dhe kulturore duke mësuar gjuhën japoneze.” thuhet në njoftim.
UP-ja vlerëson se pjesëmarrja në këto kurse ofron mundësi të veçantë për njohje më të thelluar të gjuhës dhe kulturës japoneze, duke kontribuuar në zhvillimin personal, akademik dhe ndërkulturor të pjesëmarrësve.
Gjithashtu është theksuar se të interesuarit ftohen të aplikojnë nëpërmjet vegëzës në vijim: Kursi i gjuhës japoneze
“Për informacione shtesë, mund të kontaktoni edhe Qendrën e Gjuhëve të UP-së në adresën elektronike: qendraegjuheve@uni-pr.edu Ju inkurajojmë të shfrytëzoni këtë mundësi unike akademike dhe kulturore.” bëhet e ditur në njoftimin e UP-së.













