Efekti i thumbimit
Bletët dhe grerëzat dhe injektojnë helm kur thumbojnë. Ky helm përmban proteina që dëmtojnë qelizat duke krijuar vrima në to dhe duke shkaktuar dëmtime të tjera. Platforma shëndetësore, Harvard Health Publishing (HHP), shpjegon se këtë e ndjejmë menjëherë si dhimbje dhe kruarje – një reagim natyral i trupit që synon të izolojë helmin dhe të ndalojë përhapjen e tij.
“Helmi gjithashtu aktivizon disa qeliza të sistemit imunitar të quajtura mastocite, të cilat shkaktojnë enjtje dhe skuqje të mëtejshme. Këto qeliza lëshojnë enzima në zonën e thumbimit për të shpërbërë proteinat helmuese dhe për të mbrojtur trupin nga efektet toksike,” shpjegon Dr. Caroline Sokol, alergologe në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts, i lidhur me Harvard-in.
Reagimet alergjike
Tek shumica e njerëzve, pas disa ditësh nga thumbimi, helmi shpërbëhet dhe trupi nis të riparojë dëmtimet në indet. Enjtja dhe skuqja zgjasin zakonisht një ose dy ditë. Por te disa persona, thumbimi mund të shkaktojë një nga dy llojet e reagimeve alergjike.
Një reagim jo i rrezikshëm për jetën mund të shkaktojë simptoma të zgjatura në vendin e thumbimit. “Mund të jetë shumë i dukshëm – me shumë enjtje dhe skuqje që zgjasin disa ditë deri në një javë. Qelizat imunitare vazhdojnë të qëndrojnë aktive sepse trupi mendon se ka ende rrezik. Nuk e kuptojmë plotësisht pse ndodh kjo,” thotë Dr. Sokol.
Ndërsa një reagim i rrezikshëm për jetën, i quajtur anafilaksi, prek gjithë trupin. “Ky lloj reagimi përfshin disa sisteme të trupit njëkohësisht. Për shembull, mund të shfaqen puçrra në lëkurë, sulm astmatik në mushkëri, enjtje serioze në rrugët e frymëmarrjes që bllokon oksigjenin, dhe rënie e menjëhershme e tensionit të gjakut,” shpjegon ajo.
Trajtimi
Është shumë e rëndësishme të vëzhgosh me kujdes reagimin e trupit nëse të ndodh të të thumbojë ndonjë insekt.
Nëse shfaqen puçrra në trup ose vështirësi në frymëmarrje, mund të kesh anafilaksi. Në atë rast, telefononi urgjencën (911) dhe – nëse ke me vete – përdor menjëherë një injeksion epinefrine (si Epipen-i). “Është kundërhelmi më i mirë dhe i vetmi që ndihmon realisht,” thotë Dr. Sokol. “Epinefrina aktivizon sistemin nervor simpatik, i cili ndihmon në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes, rrit tensionin e gjakut dhe zhduk puçrrat.”
Por në shumicën e rasteve, mjafton të trajtosh dhimbjen dhe enjtjen. Dr. Sokol këshillon të vendosësh kompresa të ftohta për të zbutur enjtjen, të aplikosh krem kortizoni (pa recetë) në vendin e thumbimit për të lehtësuar kruarjen dhe skuqjen, dhe të marrësh një antihistaminik – si fexofenadine (Allegra), loratadine (Claritin), ose cetirizine (Zyrtec) – për të ndalur kruarjen.
Kontakto mjekun nëse enjtja nuk largohet pas disa ditësh, ose nëse shfaqet një vijë e kuqe në lëkurë që shkon nga vendi i thumbimit drejt zemrës.
Përgatitu më parë
Kontrollo kutinë e ndihmës së shpejtë në shtëpi për të siguruar që ke antihistaminikë dhe krem me kortizon në rast thumbimi.
Nuk ke nevojë për Epipen nëse nuk je në rrezik për reagime alergjike nga thumbimet. Shenja paralajmëruese për këtë rrezik është një reagim i mëparshëm alergjik – si puçrra ose anafilaksi – ndaj ndonjë insekti që thumbon. “Në këtë rast, mbaje gjithmonë me vete jo një, por dy Epipen-a. Mund të të duhet një dozë e dytë, në varësi të peshës trupore apo kohëzgjatjes së efektit të helmit,” thotë Dr. Sokol.
Parandalimi
Kur je jashtë, është gjithmonë ide e mirë të përdorësh krem kundër diellit, kapele, rroba me mëngë të gjata dhe pantallona për të mbrojtur lëkurën nga rrezet e forta të diellit. Këto masa ndihmojnë gjithashtu për të shmangur kontaktin me bletë apo grerëza. Mund të shmangësh edhe veshjen me ngjyra të ndezura, sepse ato tërheqin insektet.
Nëse ke pasur më parë anafilaksi, konsidero të bësh një seri injeksionesh për të ulur rrezikun nga reagimet anafilaktike. Këto injeksione mbulohen nga siguracioni shëndetësor. “Nuk i ndalin të gjitha simptomat, por të mbrojnë nga anafilaksia,” thekson Dr. Sokol. “Bëj çfarë mundesh për të mbrojtur veten.” /Harvard Health Publishing (HHP)/













