Mar, Sht 30, 2025
Banner Top
Banner Top
Pse duket vetëvrasja “zgjidhja e vetme” për disa individë?! – Intervistë me Psikologun Klinik, Arber Zeka

Krenare Hoti

Shtatori është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e vetëvrasjes, një kohë e veçantë për të kujtuar se pas çdo shifre fshihet një histori, një familje dhe një dhimbje e madhe.

Shpesh, njerëzit që përballen me vuajtje të thella emocionale ndihen të padukshëm, pa zë dhe pa shpresë. Pikërisht për këtë arsye, është jetike të flasim hapur për shëndetin mendor, të kuptojmë shenjat paralajmëruese dhe të ofrojmë mbështetje.

Me këtë qëllim, ne zhvilluam një intervistë me psikologun klinik, Arber Zeka, për të sjellë më afër publikut këndvështrimin profesional mbi aspektin psikologjik të vetëvrasjes dhe rëndësinë e solidaritetit njerëzor.

Zeka filloi intervistën duke na treguar se vetëvrasja mund të duket “zgjidhja e vetme” për disa individë për shkak të kombinimit të faktorëve psikologjikë, socialë dhe situacionalë. Ai tha se secili rast është unik dhe i veçantë, sepse çdo person ka historinë, përvojat, sistemin mbështetës dhe përballues të vet.

Sipas tij, ekzistojnë disa aspekte të cilat duhet të merren parasysh.

“Ajo që duhet ditur në këto raste përfshin:

  • Ndikimin e stresorëve dhe krizave;
  • Çrregullimet mendore si depresioni, ankthi, çrregullimi bipolar, PTSD, çrregullime të personalitetit, varësitë, rrisin ndjeshmërinë ndaj mendimeve vetëvrasëse;
  • Deformimi i perceptimit, si e shohim botën, në gjendje të forta emocionale, individi mund të humbasë shpresën, të mos shohë alternativa dhe t’i duket vetëvrasja si “rruga e vetme” si dhe
  • Mungesa e mbështetjes”

Tutje, psikologu na tregoi se ekzistojnë disa shenja të vetëvrasjes të cilat nuk duhet t’i injorojme.

“Shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes që s’duhen injoruar përfshijnë të folurit për vdekje ose mospasjen e kuptimit të jetës, izolimi nga familja e miqtë, dhurimi i gjërave me vlerë ose lamtumira të pazakonshme, kërkimi i mënyrave për t’u vetëvrarë dhe ndryshimet e mëdha në gjumë, oreks, humor”, thekson Zeka.

Gjithashtu, psikologu klinik Zeka na tregon edhe rreth rolit të familjes duke konsideruar familjen si mbështjetjen e parë emocionale dhe praktike në parandalimin e vetëvrasjes.

“Komunikim i hapur, dëgjimi pa gjykim, shprehja e dashurisë dhe vëmendja ndaj shenjave paralajmëruese janë mënyra për të krijuar ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë. Prindërit dhe të afërmit mund të ndihmojnë duke inkurajuar kërkimin e ndihmës profesionale dhe duke qenë pranë individit në momente të vështira”, shprehet Zeka.

E në fund, Zeka tregon se si mund t’i ndihmojmë njerëzit të cilët dyshojmë se po mendojnë për vetëvrasje. Ai thekson dy hapa kryesor.

“Nëse dyshojmë se një person po mendon për vetëvrasje, hapi i parë është të afrohemi me kujdes dhe empati. Duhet ta dëgjojmë pa e gjykuar, ta pyesim hapur se si ndjehet dhe t’i tregojmë se nuk është vetëm. Kurse, hapi i dytë është ta inkurajojmë të kërkojë ndihmë profesionale (psikolog, psikiatër, mjek) dhe, nëse situata duket e rrezikshme, të kontaktojmë menjëherë shërbimet emergjente ose linjat e ndihmës. Gjithashtu mund të ndihmojmë duke qëndruar pranë, duke përfshirë familjen ose miqtë e afërt dhe duke hequr nga afërsia gjërat që mund të përdoren për vetëdëmtim”, thekson Zeka.

Krejt në fund, FamiljaJonë sugjeron se nëse ndonjëherë keni nevojë të flisni me dikë apo të ndani një problem, telefononi pa pagesë në qendrën për parandalimin e vetëvrasjese Linja e Jetës.

Numri kontaktues:  0800 12345

Youtube

Arkiva

Kategoritë