Pre, Qer 26, 2026
Banner Top
Banner Top
Zbulimi i hershëm shpëton jetë – Onkologu Bislimi apelon për kontrolle të rregullta tek gratë

Autore: Krenare Hoti

Muaji tetor, i njohur si “Tetori Rozë”, është periudha kur vëmendja e botës kthehet drejt ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sëmundjen më të shpeshtë që prek gratë. 

Në këtë kuadër, Dr. Arben Bislimi, onkolog në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, ndan për lexuesit tanë këshillat dhe përvojën e tij rreth shenjave të para të sëmundjes, faktorëve të rrezikut, rëndësisë së kontrolleve preventive dhe përparimeve që ka bërë trajtimi i kancerit të gjirit në Kosovë.
Përmes kësaj interviste, ai dërgon një mesazh të fuqishëm për çdo grua: “Mos e shtyni kontrollin – zbulimi i hershëm shpëton jetë.”

Intervista e plotë:

  1. Cilat janë shenjat e hershme të kancerit të gjirit që gratë duhet t’i njohin?

Shenjat e hershme të kancerit të gjirit shpesh janë të padukshme dhe nuk shoqërohen gjithmonë me simptome , prandaj është me rendesi që çdo grua ta njohë trupin e saj dhe të jetë e vëmendshme ndaj çdo ndryshimi qe mund te shfaqet. Ndër shenjat më të zakonshme që duhet të vërehen janë:

  • Prania e një mase apo nyje (kokrre) në gji, e cila është zakonisht e fortë, me kontura të parregullta dhe pa dhimbje;
  • Ndryshime në formën ose madhësinë e gjirit, një asimetri e re që më parë nuk ka qenë e pranishme;
  • Ndryshime në lëkurën e gjirit, si rrudhja, tërheqje e lëkurës, apo pamje “si lëkura e portokallit”;
  • Tërheqje e thithës ose ndryshime në ngjyrë, skuqje apo sekrecione të papritura nga thitha;
  • Ndjesi e ngurtësisë apo fryrje në zonën e sqetullës (limfadenopati aksilare), që mund të tregojë për përfshirje të nyjeve limfatike.

Nëse këto shenja vërehen, është shumë e rëndësishme të kërkohet menjëherë konsultimi mjekësor dhe të kryhet ultrazëri ose mamografia për konfirmim eventual.

2. Cilat janë faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje?

Faktorët e rrezikut ndaj kancerit të gjirit ndahen në dy grupe kryesore: ata që nuk mund t’i ndryshojmë dhe ata që mund t’i ndikojmë me stilin e jetesës.

Faktorët që nuk mund t’i ndryshojmë:

  • Gjinia femërore – Kanceri i gjirit shfaqet shumë më shpesh te gratë, edhe pse mund të ndodhë edhe te meshkujt;
  • Mosha – Rreziku rritet me kalimin e viteve, veçanërisht pas të 40-tave;
  • Trashëgimia gjenetike – Mutacionet në gjenet BRCA1, BRCA2 apo të tjera familjare.
  • Historiku familjar – Nëse nëna, motra apo bija kanë pasur kancer gjiri;
  • Ekspozimi afatgjatë ndaj hormoneve – Fillimi i hershëm i menstruacioneve ose menopauza e vonshme;
  • Historia e mëparshme e sëmundjes – Gratë që kanë pasur më parë kancer gjiri janë në rrezik më të lartë për përsëritje.

Faktorët që mund t’i ndikojmë:

  • Mbipesha dhe obeziteti, veçanërisht pas menopauzës;
  • Mungesa e aktivitetit fizik – Lëvizja e rregullt ul ndjeshëm rrezikun;
  • Konsumimi i alkoolit dhe duhanit;
  • Dieta e pasur me yndyra shtazore dhe sheqerna;
  • Mungesa e shtatzënisë apo ushqyerjes me gji, që kanë rol mbrojtës;
  • Përdorimi i pakontrolluar i hormoneve (terapi zëvendësuese hormonale).

3. Sa ndikon zbulimi i hershëm në suksesin e trajtimit të kancerit të gjirit?

Zbulimi i hershëm është faktori më i rëndësishëm që përcakton suksesin e trajtimit dhe shanset për shërim. Kur kanceri i gjirit diagnostikohet në fazat e para, pra para se të përhapet në nyjet limfatike apo organe të tjera , trajtimi është më i thjeshtë, më pak agresiv dhe efikasiteti i tij arrin mbi 90%. Në fazat e hershme, shumica e pacienteve mund të trajtohen me kirurgji konservative të gjirit, ndonjëherë të kombinuar me rrezatim apo terapi hormonale, pa pasur nevojë për trajtime me agresive. Në të kundërt, kur sëmundja zbulohet vonë, kërkon kombinim të kimioterapisë, terapive biologjike dhe imunoterapisë, me shanse më të ulëta për shërim. 

4. Si ka ndryshuar ndërgjegjësimi dhe kujdesi i grave në Kosovë për kontrollet preventive gjatë viteve të fundit?

Gjatë viteve të fundit, në Kosovë kemi parë një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit tek gratë për rëndësinë e kontrolleve preventive dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Fushatat e përvitshme të muajit Tetor Rozë, të mbështetura nga institucionet shëndetësore, organizatat joqeveritare dhe media, kanë ndihmuar që gjithnjë e më shumë gra të kuptojnë se zbulimi i hershëm shpëton jetë.

Po ashtu, është shtuar qasja në mamografi falas, ekipe mobile dhe shërbime këshilluese, sidomos gjatë muajit tetor. Kemi më shumë bashkëpunim mes sektorit publik e privat, dhe një vetëdije më të madhe në opinionin publik për rëndësinë e kontrolleve periodike.

Në këtë drejtim, Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka qenë dhe mbetet një mbështetëse kyçe e kësaj kauze. Përmes aktiviteteve sensibilizuese, edukimit profesional dhe bashkëpunimit me komunat, mediat dhe organizatat e grave, SHOK ka kontribuar në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e kontrollit të hershëm si mjeti më efektiv për zbulim të hërshem të kësaj semundjeje.

5. Çfarë trajtimesh ofrohen aktualisht për pacientet me kancer të gjirit dhe sa të avancuara janë ato në vendin tonë?

Në Kosovë, trajtimi i kancerit të gjirit zhvillohet sipas standardeve bashkëkohore dhe përfshin të gjitha modalitetet kryesore si kirurgjinë, radioterapinë dhe terapitë sistemike, si kimioterapia, hormonoterapia. Target terapia dhe Imunoterapia, pastaj shërbimet psikologjike dhe të fizioterapisë.

Gjatë viteve të fundit, është zgjeruar ndjeshëm gama e trajtimeve me terapi inovative, që kanë sjellë përfitime të mëdha në mbijetesë dhe cilësi të jetës për pacientet. Këto zhvillime tregojnë se edhe në Kosovë, onkologjia po ecën përpara dhe pacientet po marrin trajtime gjithnjë e më moderne, në përputhje me udhërrëfyesit ndërkombëtarë.

6. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit grave dhe vajzave me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit?

Mesazhi im për çdo grua dhe vajzë është i qartë: mos e shtyni kontrollin. Njohja e trupit tuaj dhe kontrolli i rregullt janë arma më e fuqishme përballë kancerit të gjirit. Kanceri i zbuluar në fazat e hershme shërohet në mbi 90% të rasteve, ndaj kujdesi për veten nuk duhet të jetë luks, por përgjegjësi dhe dashuri për jetën.

Tetori Rozë nuk është vetëm një muaj, por një kujtesë që çdo ditë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm për shëndetin tonë. Dhe për të gjitha gratë që po përballen me këtë sëmundje , dua të them se nuk jeni vetëm. Keni pas vetes mjekët, familjen dhe një shoqëri që po bëhet çdo ditë më e ndjeshme e më e përkushtuar ndaj jush.

Youtube

Arkiva

Kategoritë