Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka parandaluar një rast të tentimit të mosdeklarimit të mjeteve monetare në pikëkalimin kufitar ku si rezultat janë sekuestruar mbi 122 mijë euro dhe mbi 4 mijë lei rumunë të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë
Sipas njoftimit, më 29 prill rreth orës 09:15, në hyrje të këtij pikëkalimi është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë.
Siç ka njoftuar dogana, gjatë pyetjes standarde doganore për posedimin e mjeteve monetare mbi pragun ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk ka asgjë për të raportuar.
Megjithatë, pas kontrollit fillestar, zyrtarët doganorë kanë gjetur në një çantë dore 32,500 euro të fshehura.
Sipas Doganës, pas konstatimit të rastit, pala është shprehur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”. Mirëpo, për shkak të dyshimeve, automjeti është dërguar për kontroll të detajuar, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).
Në total, autoritetet kanë sekuestruar: 122,600 euro dhe 4,187 lei rumunë
Rasti është përcjellë për hetime të mëtejme, ndërsa Dogana e Kosovës ka rikujtuar se çdo person që hyn ose del nga territori i Kosovës me mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato.
“Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore.” ka paralajmëruar Dogana e Kosovës.













