Die, Mar 29, 2026
Banner Top
Banner Top

Shefja e Shërbimit të Mjekimit Shtëpiak, Sahadete Kelmendi, ka theksuar se kategoria e pacientëve që marrin shërbime nga ky sektor ndikon në rritjen e kërkesave për këto shërbime.

Kelmendi ka deklaruar se shërbimet u ofrohen kryesisht pacientëve të palëvizshëm, pacientëve mbi moshën 65-vjeçare që vuajnë nga sëmundje kronike, pacientëve me diabet, pacientëve në gjendje postoperative, ndërsa kategoria më e ndjeshme për shërbimin e tyre janë pacientët me sëmundje malinje.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Kelmendi ka thënë se që nga viti 2020 orari i punës është nga ora 07:00 deri në 19:00, ndërsa nga korriku i këtij viti shërbimi është zgjeruar edhe me staf të kujdesit paliativ, konkretisht me gjashtë ekipe.

Sipas saj, ndonjëherë kërkesat janë aq të mëdha sa që nuk mund të realizohen të gjitha.

“Në këto raste bëhet selektimi i pacientëve, duke u dhënë gjithmonë prioritet pacientëve me sëmundje malinje, konkretisht me kancer dhe atyre të palëvizshëm”, ka pohuar Kelmendi.

Ajo shtoi se stafi përpiqet gjithmonë të respektojë orarin, sidomos sa i përket terapive dhe dhënies së antibiotikëve, por nganjëherë kjo është e pamundur për shkak të shpërndarjes së gjerë të pacientëve.

“Shërbimi i mjekimit shtëpiak përfshin qytetin e Prishtinës dhe të gjitha fshatrat përreth, andaj në disa raste është e vështirë të arrihet në kohën e duhur në destinacionet e të gjithë pacientëve”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Youtube

Arkiva

Kategoritë