Sëmundjet kardiovaskulare (CVD) vazhdojnë të mbeten shkaktari kryesor i vdekjeve dhe barrës së sëmundshmërisë në nivel global.
Sipas raportit më të ri të Global Burden of Disease (GBD) Study, të publikuar në Journal of the American College of Cardiology (JACC), gjatë vitit 2023 këto sëmundje shkaktuan 19.2 milionë vdekje, që përbëjnë rreth një të tretën e vdekjeve në mbarë botën.
Raporti thekson se rritja e popullsisë, plakja e saj, si dhe rritja e faktorëve të rrezikut si obeziteti dhe diabeti, janë ndër arsyet kryesore të kësaj situate alarmante, shkruan MedicalXpress.
Vetëm në vitin 2023, numri i sëmundjeve kardiovaskulare u përllogarit në 437 milionë raste të matshme me vite të jetës të humbura për shkak të paaftësisë (DALYs) – një rritje e madhe krahasuar me vitin 1990.
Sipas studimit, 79.6% e barrës globale të CVD-ve lidhet me faktorë të modifikueshëm.
Faktorët metabolikë: indeks i lartë i masës trupore (BMI), sheqeri i lartë në gjak, tensioni i lartë i gjakut.
Faktorët e sjelljes: dieta jo e shëndetshme, përdorimi i duhanit, aktiviteti i ulët fizik, konsumimi i lartë i alkoolit.
Vetëm ndotja e ajrit në ambient të hapur shkaktoi gati 4 milionë vdekje kardiovaskulare në vitin 2023, ndërsa përdorimi i duhanit mbetet një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për sëmundjet si sëmundja ishemike e zemrës dhe fibrilacioni atrial.
Studimi tregon se ekzistojnë dallime të mëdha midis shteteve, madje edhe mes atyre me ekonomi të ngjashme. Vendet me të ardhura më të ulëta shpesh përballen me barrën më të madhe, pavarësisht nga plakja apo madhësia e popullsisë.












