Pre, Jan 28, 2022
Banner Top
Banner Top
Një vit me kreativitetin e “Eridës dhe Blinit”

Një vit me kreativitetin e “Eridës dhe Blinit”

Izolimi si pasojë e pandemisë, përveç efekteve negative dhe “mbytjes” së jetës dinamike, ka hapur edhe shumë shtigje mendimi për ide kreative rreth asaj se si të kalohet koha në karantinë.

Lojërat e ndryshme në kushte shtëpie, larg përdorimit të teknologjisë, ishin zgjidhje inteligjente, ku koha kalohej pranë familjes dhe argëtoheshin të gjithë anëtarët.

E, kur flitet për idetë dhe lojërat kreative, s’ka se si të mos na shkojë ndërmend kanali në Youtube “Erida dhe Blini”, që tash bën një vjet nga hapja e tij, e i cili sjell gjithmonë gjetje interesante për zhvillimin e ndonjë loje, ashtu që familjet e tjera frymëzoheshin t’i bënin të njëjtat sfida të lezetshme.

Enkas për Familja Jonë, mami i Eridës dhe Blinit, njëkohësisht edhe ideatorja për hapjen e këtij kanali në Youtube, Ermira Hajda-Hamza, tregon për rrugën se si u arrit deri këtu dhe sukseset e kanalit në fjalë.

“Kanalin në Youtube dhe rrjete sociale, Facebook dhe Instagram, e kemi hapur më 17.3.2020, pak ditë pasi kemi hyrë në izolim total nga pandemia. Duke pasur një jetë shume dinamike dhe përnjëherë jemi mbyllur në banesë, pa oborr pa hapësira për ta kaluar kohën. Kemi vendosur të merremi me aktivitete për fëmijë, që t’i largohemi teknologjise edhe ne”, thekson ajo për portalin Familja Jonë.

“Qëllimi ka qenë  të japim  një kontribut për komunitetin ,në një kohë të vështirë për të gjithë. Prindërit, sidomos ata që kanë jetuar në banesa, s’kanë pasur ide çka të bëjnë me fëmijët e tyre, dhe ne iu kemi sugjeruar aktivitete, punime, lojëra ,eksperimente, në mënyrë që të ndikojmë  te zhvillimi i fëmijëve (motorik, mendor, imagjinar)”

Në mes batutash, ajo tregon edhe për ndarjen e roleve brenda familjes, ku ajo vetë bën  skenarin për fëmijët, ndërsa bashkëshorti montazhën dhe drekën.

“Si familje 4 anëtarëshe i kemi ndarë rolet: fëmijët ishin protagonostët e videove, unë ideatorja, skenaristja dhe kameramanja, kurse bashkëshorti bënte montazhën dhe drekën”.

Sigurisht, një projekt i tillë ka pasur edhe reagime të mira nga shikuesit, për rrjedhojë edhe suksesi i këtij kanali nuk ka munguar.

 “Pritja nga njerëzit ka qenë fantastike.  Menjëherë pas 2 javësh kanë filluar  televizionet vendore të na ftojnë në  intervista:T7, RTK, RTV 21, Klan Kosova.  Suksesi i parë ka qenë ftesa nga Gjirafakids fillimisht, e pastaj kemi kaluar në gjirafa video”, shtoi ajo.

Tashmë “Erida dhe Blini me mamin” është një rubrikë e përjavshme e emisionit Familja Jonë, ku cdo të shtunë dy vogëlushët, së bashku me mamin e tyre, na prezantojnë gjëra interesante.

“Sara (autorja e emisionit Familja Jonë) na ftoi të jemi pjesë e emisionit Familja Ime ne Klan Kosova për 3 muaj. Këtu videove iu bashkova edhe unë, në mënyrë që ndikimi me qenë më i madh te prindërit, që ata të kalojnë kohë me fëmijët. Nga suksesi i këtij emisioni, ka ardhur edhe ftesa të jemi pjesë e përhershme e emisionit dhe portalit Familja Jonë” , përfundoi ajo.

Kur është shënuar vetëm një vit që nga krijimi i kanalit në Youtube, shikuesit ende kanë cfarë të presin nga Erida dhe Blini, pasi kreativiteti nga ta nuk do të mungojë asnjëherë.

Arkiva

Kategoritë