Sipas një studimi të madh të kryer në Mbretërinë e Bashkuar, menopauza lidhet me ndryshime në tru të ngjashme me ato që vërehen te sëmundja e Alzheimerit.
Siç raporton BBC, humbja e lëndës gri në zona të trurit që lidhen me kujtesën dhe emocionet mund të shpjegojë pjesërisht pse gratë, në përgjithësi, kanë rrezik më të lartë për demencë sesa burrat, spekulojnë studiuesit.
Gjetjet bazohen në pothuajse 125 mijë gra, prej të cilave rreth 11 mijë kishin kryer skanime të trurit me rezonancë magnetike.
Në studimin, të botuar në revistën Psychological Medicine, përdorimi i terapisë hormonale zëvendësuese (HRT) nuk duket se ka parandaluar humbjen e lëndës gri.
Profesoreshë Barbara Sahakian, autore kryesore e studimit dhe nga Universiteti i Kembrixhit, tha: “Zonat e trurit ku pamë këto ndryshime janë ato që zakonisht preken nga sëmundja e Alzheimerit. Menopauza mund t’i bëjë këto gra më të ndjeshme më vonë gjatë jetës. Edhe pse nuk është i gjithë shpjegimi, kjo mund të ndihmojë për të kuptuar pse shohim pothuajse dy herë më shumë raste demence te gratë sesa te burrat.”
Ndryshimet në tru u vunë re në:
- një zonë që ka rol kyç në të nxënit dhe kujtesë, hipokampusi
- një rajon thelbësor për formimin e kujtimeve dhe orientimin hapësinor, korteksi entorinal
- një pjesë që ndihmon në vëmendje dhe në rregullimin e emocioneve, korteksi cingular anterior
Lënda e bardhë dhe lënda gri janë të dyja pjesë thelbësore të trurit dhe palcës kurrizore.
Lënda gri përbëhet nga trupat e qelizave nervore dhe dendritet e tyre, zgjatime të shkurtra që komunikojnë me neurone të afërta.
Lënda e bardhë përbëhet nga aksonet e gjata të neuroneve që transmetojnë impulse drejt zonave më të largëta të trurit dhe palcës kurrizore.
Kërkimi i ndihmës
Sipas udhëzimeve të NHS, terapia hormonale zëvendësuese mund të merret në konsideratë për simptoma të menopauzës si problemet me gjumin dhe afshet e nxehta.
Studiuesit thonë se ka ende një kuptim të kufizuar mbi efektet e menopauzës dhe përdorimit të HRT-së në tru, kujtesë dhe humor.
Studimi zbuloi se gratë që përdornin HRT kishin më shumë gjasa të përjetonin probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, shumë prej tyre kishin pasur shëndet mendor më të dobët edhe përpara se t’u përshkruhej medikamenti.
Bashkëautore e studimit, Dr Christelle Langley, tha se është e rëndësishme të njihet larmia e vështirësive që mund të shoqërojnë menopauzën.
“Të gjithë duhet të jemi më të ndjeshëm jo vetëm ndaj shëndetit fizik, por edhe atij mendor të grave gjatë menopauzës. Nuk duhet të ketë asnjë ndjenjë turpi nëse ju u tregoni të tjerëve se çfarë po kaloni dhe kërkoni ndihmë.”
Prof Channa Jayasena, ekspert i hormoneve nga Imperial College London, tha: “Efekti i HRT-së në shëndetin e trurit gjatë menopauzës vazhdon të jetë një temë debati, dhe studime të vjetra klinike si Women’s Health Initiative nuk kanë arritur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Sido që të jetë, kjo është një çështje e rëndësishme që prek miliona gra në Mbretërinë e Bashkuar dhe meriton vëmendje të veçantë në të ardhmen.”
Michelle Dyson nga Shoqata e Alzheimerit tha se gratë përbëjnë rreth dy të tretat e personave që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar.
“Dhe ndonëse ende nuk e kuptojmë plotësisht pse ato janë më të ndjeshme sesa burrat, mendohet se hormonet mund të luajnë një rol,” tha ajo.
“Ky studim i madh shton provat që tregojnë se si menopauza ndikon në tru, përfshirë ndryshime fizike si humbja e vëllimit të trurit. Por pa ndjekje afatgjatë të pjesëmarrëseve, për të parë nëse ato zhvillojnë më vonë demencë, nuk mund të jemi të sigurt se këto ndryshime në tru të lidhura me menopauzën rrisin edhe rrezikun e demencës.”
Ajo shtoi se aktiviteti i rregullt fizik, shmangia e duhanit dhe kufizimi i konsumit të alkoolit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për demencë. /BBC/













