Qendra Klinike Universitare e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë mem dije që sot kanë nisur punimet e Konferencës Pranverore të Shoqatës së Neurologëve të Kosovës (ShNKS), e organizuar në bashkëpunim me Klinikën e Neurologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ngjarja më e rëndësishme shkencore dhe profesionale në fushën e neurologjisë në vend.
Konferenca do të zgjasë dy ditë dhe ka mbledhur neurologë, profesionistë shëndetësorë dhe ekspertë të njohur nga Austria, Kroacia, Turqia dhe vendet e rajonit, të cilët po prezantojnë zhvillimet më të fundit në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve neurologjike.
Dita e parë e konferencës i kushtohet Ditës Botërore të Sklerozës Multiple (MS), me fokus të veçantë në qasjet moderne diagnostikuese dhe terapeutike për këtë sëmundje kronike neurologjike. Ndërkaq, dita e dytë organizohet në bashkëpunim me Akademinë Evropiane të Neurologjisë (EAN), organizatën më të lartë profesionale të neurologjisë në Evropë, ku do të trajtohen tema aktuale shkencore, përvoja klinike dhe praktikat më të avancuara në neurologji.
Kryetari i Shoqatës së Neurologëve të Kosovës, Prof. Dr. Afrim Blyta, vlerësoi konferencën si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive profesionale dhe prezantimin e zhvillimeve më të reja në fushën e neurologjisë, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së ekspertëve ndërkombëtarë.
Ky aktivitet paraqet organizimin më të rëndësishëm të Shoqatës së Neurologjisë të Kosovës dhe Klinikës së Neurologjisë ndër vite, duke dëshmuar përkushtimin e tyre në zhvillimin e vazhdueshëm të neurologjisë dhe përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Sklerozës Multiple (MS) numri i pacientëve është 805. Çdo vit mesatarisht 62 raste të reja, me trend rritjeje.













