Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka njoftuar se me 14 prill, në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, organizatat Women in Black, Qendra Autonome e Grave dhe YIHR Serbia, organizuan një aktivitet përkujtimor në Beograd.
QKMRT ka cilësuar se të folurit publikisht për këtë temë përbën një thirrje për të mos harruar, për të mos mohuar dhe për të mos lejuar që e vërteta të mbetet në hije.
“Ky veprim dëshmon se solidariteti mes grave tejkalon kufijtë, paragjykimet dhe ndarjet e krijuara nga lufta. Ai tregon se, edhe përballë dhimbjes së thellë, ekziston guximi për të qëndruar bashkë, për të dëgjuar dhe për t’u mbështetur reciprokisht.” ka shkruar kjo organizatë.



Tutje, QKRMT-ja ka shprehur mirënjohje për Women in Black, Qendrën Autonome të Grave dhe YIHR Serbia për shënimin e kësaj dite përkujtimore dhe për gjestin e solidaritetit dhe respektit ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.
14 prilli është caktuar si Ditë Memoriale e të Mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.
Në vitin 2018, ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Megjithëse në Kosovë nuk dihet sakt numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës, besohet që ky numër të jetë rreth 20 mijë.
Mandati i Komisionit Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë është zgjatur deri më 15 maj të vitit 2028 kurse afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur deri më 15 maj të vitit 2027.













