Enj, Gus 13, 2026
Banner Top
Banner Top
Mjekja Meritë Rrahmani i drejtohet kryetarit të Fushë Kosovës: Rritja e çmimeve të kopshteve po rëndon shëndetin mendor të nënave

Mjekja e përgjithshme në Fushë Kosovë, Dr. Meritë Rrahmani, i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, lidhur me rritjen e çmimeve të kopshteve dhe ndikimin që kjo situatë, sipas saj, po ka te familjet, veçanërisht te nënat e reja.

Në letrën e saj, Rrahmani thotë se si mjeke përballet çdo ditë me sfidat e pacientëve dhe se rritja e kostove të kopshteve po shton barrën financiare, emocionale dhe psikologjike të shumë grave dhe nënave.

Ajo veçon rastin e nënave lehona, të cilat, përveç kujdesit për foshnjën dhe rimëkëmbjes pas lindjes, shpesh kanë përgjegjësi edhe për fëmijë të tjerë. Sipas saj, kur çmimi i kopshtit bëhet i papërballueshëm, familjet detyrohen t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, duke kufizuar mundësitë e tyre për socializim, edukim dhe zhvillim.

Rrahmani paralajmëron edhe për pasojat në shëndetin mendor të nënave, duke theksuar se izolimi, mbingarkesa dhe stresi financiar mund të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike, përfshirë rrezikun e depresionit pas lindjes.

Në letrën drejtuar kryetarit Prebreza, ajo ngre shqetësimin edhe për mungesën e hapësirave të përshtatshme publike për fëmijët në Fushë Kosovë, duke përmendur këndet e lojërave të zëna nga automjetet apo zonat e ndërtimit që, sipas saj, mund të paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.

Si mjeke dhe qytetare, Rrahmani kërkon nga Komuna e Fushë Kosovës ndërmarrjen e masave për subvencionimin ose rregullimin e tarifave të kopshteve për familjet në nevojë dhe familjet me më shumë se një fëmijë, krijimin e mekanizmave që asnjë fëmijë të mos privohet nga arsimi parashkollor për arsye financiare, si dhe krijimin e kushteve më të mira sociale për nënat.

“Fëmijët tanë meritojnë një fëmijëri të lumtur dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa nënat e tyre meritojnë të jenë të shëndetshme fizikisht e mendorisht”, shkruan Rrahmani në fund të letrës së saj.

Ajo i ka bërë thirrje Komunës që të ketë një reagim të shpejtë institucional dhe të ndërmarrë masa lehtësuese për familjet në Fushë Kosovë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë