Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e 80, të cilën e hapi Kryesuesja e Bordit, znj.Tetore Olloni.
Në fjalën e saj hyrëse, znj. Olloni tha, -Konsideroj të hapur mbledhjen e parë të këtij viti me peshën e rëndësinë që do ja kushtoj Bordi Drejtues, Kujdesit Paliativ në shëndetësinë publike si një komponent thelbësor i sistemit shëndetësor që synon përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë ata, që po humbin betejën për ta shpëtuar ate.
Kujdesi Paliativ nuk zëvendëson trajtimin kurativ, por mund të ofrohet paralelisht me të, në çdo fazë të sëmundjes. Në këtë kujdes, dhimbja nuk shihet vetëm si simptomë, por si një thirrje për vëmendje njerëzore. Mjekët, infermierët dhe familjarët bëhen bashkëudhëtarë në një rrugë ku qëllimi nuk është fundi, por mënyra se si ecet drejt tij.
Kujdesi Paliativ është si një dorë e butë që nuk kërkon të ndalë kohën, por ta bëjë atë më të durueshme kur shpresa nuk matet më me shërim, por me qetësi.
Ajo theksoi se Kujdesi Paliativ qëndron fragment i Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030 , Planit Kombëtarë për zhvillim 2024-2026 si dhe një ndër konkluzionet e para të këtij Bordit Drejtues. Me këtë rast dr. Besa Balidemaj theksoi se MSh është në proces të hartimit të planit të veprimit për Kujdesin Paliativ në tre nivelet e kujdesit shëndetësorë përderisa dr. Vjollca Kadolli theksoi rëndësinë që i kushtohet në nivelin parësorë.
Gjatë mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm z. Elvir Azizi prezantoi një raport të detajuar mbi shërbimet e ofruara gjatë vitit, progresin në njësitë spitalore dhe klinike si dhe raportoi për punën e përgjithshme të ShSKUK-së konform kërkesave që parashtruan anëtarët e Bordit Drejtues.
Në mbledhje të Bordit u kërkua të respektohet përditësimi i rregullt dhe transparent i furnizimit me barna, si dhe prezantimit javor në Webfaqen e ShSKUK-së i listave të mjekëve në Ambulanca Specialistike e Kujdestari, përderisa Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, z. Azizi, theksoi se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë, që krahas perditësimit të listës së barnave të bëhen publike, gjithashtu dhe këto lista.
Znj. Olloni kërkoi që Rregullorja për Trajnime të Stafit Profesional të publikohet në Webfaqe, e drejtë kjo e çdo profesionisti shëndetësorë që të jetë i informuar për mundësitë e trajnimit, meqë flitet për buxhet të siguruar dhe e tëra kjo të përkthehet në shërbime të reja për qytetarin në nevojë. Ajo kritikoi Menaxhmentet për vonesë në bartjen e saj përmes adresave zyrtare elektronike tek Stafi Profesional.
Nisur nga një kërkesë dhe konkluzion i hershëm i Bordit Drejtues, u kërkua një raport krahasues për lindjet me prerje cezariane si dhe një raport mbi numrin e pacientëve nga jashtë vendit që marrin shërbime në ShSKUK.
Në mbledhjen e Bordit Drejtues u diskutua gjithashtu Plani Strategjik dhe Plani Vjetor për vitin 2026 i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, si dhe Raporti mbi Listën e Pritjeve në ShSKUK. Anëtari i Bordit, Dr. Dren Boshnjaku, theksoi se listat e pritjes kërkojnë vëmendje të veçantë. Në mënyrë të veçantë, është e rëndësishme që ato të krahasohen me vitin paraprak 2024, për të vlerësuar nëse ka shkurtim apo rritje të tyre, si dhe të verifikohen arsyet që ndikojnë në këto ndryshime, me qëllim që të adresohen me prioritet. Po ashtu, është e domosdoshme të bëhet centralizimi i listave të pritjes, në mënyrë që ato të jenë në kohë reale, si dhe të përcaktohet qartë përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe përditësimin e tyre. Qasja dhe përgjegjësia duhet të jenë të përbashkëta ndërmjet drejtorit të shërbimit përkatës dhe drejtorit mjekësor të SHSKUK-së-theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK -së z. Elvir Azizi njoftoi se është në përgatitje Plani Vjetor i Punës së ShSKUK-së për 2026, përderisa u kërkua nga Kryesuesja e Bordit që ky raport të ketë të integruar adresimin e saktë rreth planit të veprimit konkret e të menjëhershëm për zvogëlim të listave të pritjes, si prioritet institucional e për to të raportohet në çdo mbledhje të Bordit Drejtues.












