Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nesër fillon zëvendësimi i ujëmatësve të vjetër me ujëmatës të rinj ultrasonikë në lagjen Tophane.
Sipas njoftimit, ky projekt ka për qëllim modernizimin e sistemit të matjes së ujit, rritjen e saktësisë në leximin e konsumit dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve.
“Ky investim është në dobi të konsumatorëve, duke mundësuar matje më të sakta dhe faturim më korrekt të konsumit të ujit. Sipas projektit, punimet do të zgjasin deri në fund të marsit 2027. ” bëhet e ditur në njoftim.
KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se në raste të rralla, për shkak të realizimit të punimeve, mund të ketë edhe ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.













