Shtatzënia shoqërohet me një sërë ndryshimesh në organizëm, ndërsa një pjesë e tyre mund të ndikojnë edhe në shëndetin e syve dhe cilësinë e shikimit. Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, Klinika Gjermane e Syrit ka ndarë disa informacione dhe këshilla për gratë shtatzëna, duke bërë thirrje që ndryshimet në shikim të mos lihen anash.
“Nëse shihni pika të zeza, drita vezulluese ose keni turbullim të papritur të shikimit, mos i neglizhoni këto shenja”, këshillon Klinika Gjermane e Syrit.
Sipas klinikës, simptoma të tilla mund të jenë tregues të preeklampsisë, një gjendje serioze që shoqërohet me tension të lartë gjatë shtatzënisë dhe që kërkon vlerësim të menjëhershëm nga mjeku. Po ashtu, në postim theksohet se kontrolli oftalmologjik mund të ndihmojë në zbulimin në kohë të ndryshimeve që diabeti gestacional mund të shkaktojë në retinë.
Klinika ka shpjeguar gjithashtu se gjatë shtatzënisë trupi mban më shumë lëngje, gjë që mund të ndikojë përkohësisht në formën e kornesë së syrit. Si pasojë, shikimi mund të mos jetë aq i qartë sa zakonisht, ndërsa gratë që përdorin lente kontakti mund të përjetojnë parehati gjatë përdorimit të tyre.
Një tjetër ndryshim i zakonshëm gjatë kësaj periudhe lidhet me tharjen e syve. “Ndryshimet hormonale mund të ulin prodhimin e lotëve”, thuhet në postim. Si pasojë, gratë shtatzëna mund të ndiejnë tharje, skuqje, irritim ose ndjesinë sikur kanë rërë në sy, veçanërisht në muajt e fundit të shtatzënisë.
Duke vënë theksin te rëndësia e kontrolleve të rregullta, Klinika Gjermane e Syrit rikujton se “Kujdesi për shëndetin e syve tuaj gjatë shtatzënisë është kujdes edhe për beben”, duke inkurajuar nënat e ardhshme që të kërkojnë këshillë profesionale nëse vërejnë ndryshime në shikim ose shqetësime të tjera që lidhen me sytë.
Për konsultë dhe informata shtesë, qytetarët mund t’i drejtohen Klinikës Gjermane të Syrit, e cila ndodhet në kilometrin e pestë të rrugës dytësore Prishtinë–Ferizaj. Kontakti mund të bëhet përmes numrave +383 (0)38 60 60 63 dhe +383 (0)45 33 85 88 si dhe në adresën elektronike info@kgjs.net.













