Sht, Maj 9, 2026
Banner Top
Banner Top
Hapet pika e parë fizike e Olaba Shop

Mbrëmjen e së premtes, më 8 maj, Olaba Shop hapi pikën e saj të parë fizike, duke shënuar një etapë të re të zhvillimit të biznesit në industrinë e produkteve për bebe dhe nëna të reja.

Ndonëse Olaba Shop si platformë online funksionon prej dy vitesh, ekipi pas këtij biznesi ka një përvojë rreth 20-vjeçare në industrinë e produkteve për bebe.

Fillimisht, kompania operoi vetëm online, duke iu ofruar grave shtatzëna, nënave të reja dhe prindërve mundësinë që të blejnë produkte të ndryshme për foshnja dhe fëmijë nga shtëpia. Tashmë, klientët do të kenë mundësi që produktet t’i shohin dhe përzgjedhin edhe fizikisht në dyqanin e ri që ndodhet në Albi Mall.

Atmosfera në ceremoninë e hapjes u karakterizua nga një ambient i ngrohtë dhe plot gjallëri, ku ngjyrat e shumta, dizajnet moderne dhe produktet e larmishme krijuan një pamje të veçantë në çdo cep të dyqanit.

Hapësira ishte e mbushur me dekorime të kuruara deri në detaje, ndërsa produktet për bebe dhe nëna të reja tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve që ndalonin për t’i parë nga afër.

Në një intervistë për Familja Jonë, pronarja e Olaba Shop, Madlen Dubova, tregoi se gama e produkteve të dyqanit përfshin gjithçka, nga produktet për maternitet e deri te artikujt që ndihmojnë në zhvillimin motorik të fëmijëve dhe nevojat e përditshme të prindërve.

“Olaba ekziston që dy vjet. Faktikisht, në industrinë e bebeve jemi që 20 vjet por duke e parë kërkesën e madhe për këtë industri dhe duke parë sa pak ka qenë e zhvilluar, ne kemi vendosur para dy viteve me fillu në formën online, me shitje online. Më pas e kemi zhvilluar dhe në këtë moment e kemi pa që është koha e duhur për me hap edhe një dyqan offline”, u shpreh Dubova.

Ajo shtoi se fokusi kryesor i dyqanit mbetet te produktet për bebet e porsalindura dhe nevojat e nënave gjatë periudhës së maternitetit.

“Ne fokusin e kemi moshën 0 deri në 6 vjeç, por kryesisht produktet për bebet e porsalindura. Po ashtu edhe produktet për nënat gjatë maternitetit, në fillim të lindjes. Domethënë, më tepër jemi të fokusuar në këtë pjesë, në gjidhënie, te bebet e porsalindura dhe produktet që ua lehtësojnë prindërimin nënës dhe babait”, tha ajo.

Gjatë përurimit, pati prindër të shumtë që vizituan dyqanin së bashku me fëmijët e tyre për t’i parë nga afër produktet e ekspozuara.

Në mesin e të pranishmëve nuk munguan as figura publike.

Për Rinesa Krasniqi, nënë e re dhe influencere, hapja e dyqanit fizik e lehtëson edhe më shumë përditshmërinë e saj, veçanërisht për shkak të sigurisë dhe cilësisë që ajo thotë se gjen te këto produkte.

“Më bën mu ndi shumë rehat, sepse e di që çdo produkt që e marr e ka kualitetin dhe standardin evropian. Mundem me thonë që është ajo që ne e kërkojmë më së shumti, por e gjejmë më së paku. Prandaj, më bën mu ndi mirë, sepse e di që çkado që blej është e sigurt 100%”, tha ajo.

Energjia festive, prania e familjeve dhe buzëqeshjet e fëmijëve i dhanë edhe më shumë jetë dhe ngrohtësi inaugurimit të kësaj pike të re, duke e kthyer mbrëmjen në një ngjarje të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.

Produktet e Olaba Shop i vlerësoi edhe Pranvera Osdautaj, nënë e re dhe influencere, e cila tregoi se disa prej produkteve të këtij dyqani kanë pasur rëndësi të veçantë gjatë rritjes së fëmijës së saj.

“Këtu më sjell një bashkëpunim shumë i mirë dhe shumë i suksesshëm që ka qenë mes nesh dhe Olaba Shop-it, por po ashtu edhe prania e Olaba Shop, e cila prej fillimeve të mia, që prej shtatzënisë e pastaj edhe me lindjen e Janit (djalit), ka qenë këtu për çdo pajisje që na është dashur, për çdo element për fëmijët, që tash, kur jam nënë, po e shoh që nuk ndalen kurrë dhe gjithmonë kanë me ju dashtë sende të reja për fëmijën”, tha Osdautaj.

Ajo shpjegoi se me rritjen e fëmijës ndryshojnë edhe nevojat e tij, ndërsa gjatë gjithë këtyre etapave, Olaba Shop ka qenë pjesë e përditshmërisë së saj.

Me këtë hap të ri, Olaba Shop e çon më tej historinë e saj të rritjes në industrinë e produkteve për bebe, duke u bërë më e qasshme për prindërit.

Youtube

Arkiva

Kategoritë