Sot ka nisur zyrtarisht një projekt i rëndësishëm për rritjen e gatishmërisë dhe sigurisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, i fokusuar në reagimin ndaj fatkeqësive dhe përforcimin e sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se ky projekt ka për qëllim rritjen e nivelit të përgatitjes për përballimin e situatave emergjente, duke garantuar një nivel më të lartë sigurie për pacientët, stafin dhe infrastrukturën spitalore.
“Projekti realizohet si donacion nga organizata jonë partnere IHS, e financuar nga shteti zviceran, çka përbën një kontribut të rëndësishëm në avancimin e standardeve të sigurisë në institucionet publike shëndetësore.” bëhet e ditur në njoftim.

Sipas këtij spitali, ky projektet konsiderohet një ndër të parat e këtij lloji në institucionet publike shëndetësore në vend, duke e bërë atë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes së sigurisë në sektorin e shëndetësisë.
“Drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës kanë identifikuar me kohë nevojën për rritjen e nivelit të sigurisë, me theks të veçantë në mbrojtjen kundër zjarrit. Në këtë drejtim, ata kanë hartuar dhe propozuar këtë projekt propozim, i cili ka gjetur mbështetje nga donatori, në këtë rast organizata partnere IHS, duke mundësuar kështu fillimin e zbatimit të tij.” bëhet e ditur tutje në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.














