Pavarësisht vështirësive të viteve të 90-ta në Kosovë, për Besnik Hotin mbeten të freskëta copëzat e kujtimeve me babanë e tij, Dr. Fahredin Hoti, të cilin e kishte ende pranë asokohe.
Raportet me babain e tij, Besniku i kujton si shumë të afërta ku përkundrejt volumit të madh të punëve, Besniku mban mend se Fahredini gjithmonë gjente kohë për familjen.
“Gjatë viteve 1991 deri 1995 kemi shkuar në pushime në Varna të Bullgarisë, në të njëjtën kohë vizitonim edhe hallën e tij në qytetin e Bursa të Turqisë dhe gjatë kthimit shpesh ndaleshim në Selanik të Greqisë. Mundem të them lirisht se këto vite ishin më të mira, sepse përveç vizitave në këto shtete ishim edhe bashkë, e gjithë familja dy motrat, unë dhe vëllau Kreshniku. Kishim mundësi të flisnim për shumë gjëra dhe të merrnim këshilla nga babi për shumë gjëra.” kujton Besniku.

Edhe kujtimet me vëllanë e ndjerë, Kreshnikun, i cili u vra në luftë në moshën 14-vjeçare, janë të shumta për Besnikun.
Nostalgjia e kthen Besnikun pas në kohën e pushimeve të verës, kur bashkë me Kreshnikun qëndronin në Doberdelan të Suharekës dhe po ashtu edhe momentet kur gjatë motit të nxehtë laheshin në lumin Drini i Bardhë.

“Më mungon shumë, shpesh kujtimet për të më therrin zemrën, sepse në moshën 14 vjeçare u vra barbarisht nga milicia dhe ushtria serbe më 26 mars 1999 në Krushë të Madhe, dhe gjaku i tij u bë gurthemeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai dhe qindra fëmijë të Kosovës ranë për të mos vdekur kurrë. Kujtimi i tyre mbetet i gjallë dhe na obligon të mos i harrojmë, por t’i nderojmë me respekt dhe mirësi, ashtu siç e meritojnë.” shprehet Besniku.
Po atë ditë, pranë Kreshnikut, vdiq edhe babai i tyre, doktor Fahredin Hoti. Pasi mori lajmin se Kreshniku, 14-vjeçar, ishte plagosur nga një predhë artilerie e ushtrisë serbe, Fahredini nxitoi pranë djalit të tij për ta ndihmuar. Gjatë përpjekjes për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, ai u qëllua me snajper dhe humbi jetën derisa përpiqej t’i operonte plagët e veta.
Trashëgimia e Dr. Fahredin Hotit, e dokumentuar edhe përmes librave
Kujtimet për doktor Fahredin Hotin nuk mbeten vetëm brenda familjes së tij, por përkujtohen edhe nga kolegët, ushtarët dhe të gjithë ata njerëz të cilëve fati iu bashkoi rrugën me të. Pikërisht këto kujtime shtynë Besnikun të shkruajë librat “Doktori që i dha jetë lirisë – 1” dhe “Doktori që i dha jetë lirisë – 2”.
“Ideja dhe kërkesa që ka përcaktuar botim e librit të parë, nuk ka qenë aspak e vogël, ishte një kërkesë e natyrshme e familjes, kolegëve, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, miqve të tij, sportdashësve, poetëve por dhe një zë i brendshëm i ndërgjegjes historike që fton të gjithë ne të kujtojmë dhe të nderojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, pra një përpjekje për të ruajtur kujtimin e një personi që dha gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.” shpjegon Besniku.
Ndërsa, me 15 qershor 2024 në Universitetin“Ukshin Hoti” në Prizren, u promovua libri “DOKTORI QË I DHA JETË LIRISË 1”. Pjesëmarrja ishte e madhe. Ishin prezent familjarë, bashkëluftëtarë, bashkëfshatarë, kolegë, miq, shokë si dhe personalitete politike, zyrtarë institucional dhe ushtarak. Në këtë kontekst, thirrja për vazhdimin e hulumtimeve për monografinë e dytë rrit ndërgjegjësimin për trashëgiminë e pasur të këtij dëshmori kombëtar.
Siç thekson Besniku, me një përkujdesje të veçantë për detajet historike dhe kontekstin shoqëror, monografia e dytë do të sjellë dritë mbi jetën dhe veprën e personalitetit të jashtëzakonshëm të Dr. Fahredin Hotit.
Çfarë përmbanë libri “DOKTORI QË I DHA JETË LIRISË”?
I ndarë në shtatë kapituj, ky libër vijon kështu:
KAPITULLI i PARË – përmban rrëfimet e familjarëve,
KAPITULLI I DYTË – Vlerësimet e shokëve, kolegëve e të bashkëpunëtorëve njerëz të cilët e dinë më mirë se askush tjetër se çfarë ka përfaqësuar Dr. Fahredin Hoti në botën e mjekësisë. Nga përkujdesja për pacientët e tij deri tek përkushtimi i palëkundur ndaj shkencës mjekësore, këto faqe zbulojnë thellësinë e personalitetit dhe kontributit të tij në kujdesin shëndetësor. Pra, bashkë me kolegët e tij, kemi sjellur në dritë historinë e tij, për të nderuar dhe frymëzuar brezat e ardhshëm të mjekësisë.
KAPITULLI I TRETË – Kontributi i doktor Fahredin Hotit në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na japin një vështrim të hollësishëm për personalitetin dhe kontributin e doktorit. Duke rrëfyer për momente të rëndësishme të mjekimit të luftetarëve në vijat e frontit. Ata hedhin dritë mbi guximin dhe përshkushtimin e doktorit në luftën çlirimtare për lirine e Kosovës.
KAPITULLI I KATËRT – Kontributi i doktor Fahredin Hotit në Klubin Futbollistik “BASHKIMI” në Krushe të Madhe dhe Aktivitetet të tjera në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Bajram Curri”, në këshillin e fshatit edhe në aktivitete të tjera. Doktor Fahredin Hoti ishte gjithashtu një veprimtar shoqëror, sportist i talentuar dhe poet, një njeri që e shihte artin si një mënyrë për të shprehur dashurinë për atdheun. Ai ishte një personalitet shumëdimensional, që jetoi dhe veproi me synimin e qartë për ta parë Kosovën të lirë.
KAPITULLI I PESTË – Artikuj të ndryshëm nga gazetat në
Kosovë dhe Shqipëri, akademia përkujtimore, zbulimi i bustit dhe promovimi i librit me poezi-të e dëshmorit.
KAPITULLI I GJASHTË – Foto album nga arkivi i Dr. Fahredin Hotit i shpëtuar nga lufta e vitit 1999
KAPITULLI I SHTATË – MIRËNJOHJET DHE DEKORATAT dhe PËRFUNDIMI.
“Në dy librat, rrëfimet e të gjithëve bashkohen në një sintezë të mrekullueshme, duke na udhëzuar në një udhëtim emocionues drejt vlerave më të larta njerëzore. Aty ku mungon drita, doktori ynë sjell shpresën, aty ku bie hija e padrejtësisë, ai arrin të ndriçojë me vetëmohimin dhe vendosmërinë e tij.” shprehet Besniku.

Ai pohon se finalizimi i librit, që përfshinte mbledhjen e rrëfimeve dhe dokumentimin e veprimtarive gati të panumërta të të atit, nuk kishte qenë i lehtë. Me këtë rast, ai shpreh mirënjohje për miqtë dhe të gjithë njerëzit që ndanë kujtimet që kishin me Fahredinin dhe e bënë këtë proces më të lehtë për të
“Ky libër është vetëm një obligim i vogël i shlyer ndaj tij. Për ta arritur atë që babai im ka synuar duhet shumë punë e mund, prandaj do të përpiqem që ta nderoj emrin e tij, kudo dhe ngado që të shkoj.” shpehet ai.
Besë ndaj jetës. Besë ndaj njerëzimit. Besë ndaj profesionit
Për Besnikun, figura e Fahredinit dëshmon se mjekësia në thelb është besë të cilën Besniku e sheh si besë ndaj jetës. Besë ndaj njerëzimit. Besë ndaj profesionit.
“Kur një mjek e mban këtë besë deri në fund, ai nuk humbet ai kthehet në udhërrëfyes.” thotë ai.
Kësisoj, Besniku e mbyll rrëfimin e tij edhe me një mesazh për të gjithë mjekët e rinj duke thënë se mjeku i madh nuk matet vetëm me dijen që ka por me guximin për ta përdorur atë, me përkushtimin për ta ruajtur, dhe me sakrificën për ta vënë atë dijë në shërbim të tjetrit.
“Ecni përpara me kokën lart. Mbani zemrën të fortë, mendjen të kthjellët, dorën të sigurt. Sepse në këtë profesion, ka momente kur një jetë e tërë varet nga ju dhe në ato momente, le të flasë brenda jush shembulli i dr. Fahredin Hotit: i palëkundur, i ndershëm, i pavdekshëm.” përmbyll Besniku.













