Gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, e cila filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmit të forcave serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës, një rol të rëndësishëm dhanë edhe mjekët dhe personeli shëndetësor. Përkundër rrethanave të luftës, ata vazhduan ushtrimin e profesionit, duke zbatuar parimet e Betimit të Hipokratit dhe duke ofruar trajtim për të sëmurët, të plagosurit dhe personat në nevojë. Disa prej tyre humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa numri i saktë i mjekëve të vrarë gjatë luftës nuk dihet sigurtë.
I tillë ishte edhe kontributi që dha mjeku Fahredin Hoti i cili u vra në krye të detyrës në mars të vitit 1999.
Fahredini nuk ishte vetëm gjinekolog por në kohën e luftës ai ishte mjek që u kujdes për të gjitha shqetësimet e pacientëve. Kreu punët e pediatrit, kirurgut, internistit edhe të teknikut mjekësor, duke filluar nga Krusha e Madhe, Pagarusha, Drenoci, Açareva, Likoci, e shumë vende të tjera të Rahovecit, Prizrenit, Malishevës e Drenicës.
Djali tij, Besnik Hoti, rrëfen se si babai i tij, Fahredini vdiq në luftë teksa pas ndihmës së shumë pacientëve u afrua që ndihmën e fundit t’ia jepte djalit të tij 14 vjeçar, Kreshnikut i cili do të ishte paceienti i tij i fundit e pranë të cilit edhe vdiq.
Siç rrëfen Besniku, gjithçka nisi në mëngjesin e ditës së enjte, më 25 mars të 1999 vitit ofensiva e përgjithshme serbe përfshiu mbarë Kosovën, ndërsa fshatrat e Anadrinisë u ndodhën në linjën e parë të këtij operacioni.
“Njerëzit të tmerruar morën arratinë dhe për të shpëtuar jetën u vendosën në male, lugje e përroje. Numri i të vrarëve e të plagosurve po rritej vazhdimisht, ndërsa Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushës së Madhe, kryen disa operacione kirurgjike për civilët e shumtë të plagosur.” rrëfen Besniku.
Ndërkohë që familja e doktorit ishte e strehuar në pyll, Kreshniku 14 vjeçar, i biri i Fahredinit ishte plagosur rëndë nga një predhë artilerie e ushtrisë serbe.
“Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e lejoi t´i braktiste të plagosurit dhe ta shmangte më të keqen për veten. Qëndroi aty nën zjarrin e artilerisë serbe dhe nën breshërinë e plumbave. Duke u përpjekur t´i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë, qëllohet në bark nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur rëndë, doktor Fahredini nuk jepej. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët vdekjeprurëse që ia shkaktuan armiqtë e popullit të tij. Vdiq në përpjekje për të operuar plagët e veta, që i kullonin gjak.” tregon Besniku.
Mirëpo, tragjedia për këtë famije nuk përfundoi me kaq.
“Ende pa u varrosur trupat e Fahredinit dhe birit të tij Kreshnikut, serbët po e vazhdonin fushatën e tyre të spastrimit etnik, duke keqtrajtuar e plaçkitur banorët e tmerruar që i gjente në shtëpitë e veta dhe këdo që haste maleve e luginave. Një fat të tillë e përjetoi edhe Shemsedini, babai i Fahredin Hotit, të cilin e rrahën brutalisht serbët e armatosur e të egërsuar, duke i shkaktuar fraktura të shumta e gjakderdhje të brendshme. Ende pa arritur në tokën e lirë të Shqipërisë, Shemsedini vdiq afër Zhurit, fare pranë kufirit që i ndante shqiptarët, në moshën 67-vjeçare. Kështu, familja Hoti me gjakun e tre brezave lau tokën e Kosovës, duke u sakrifikuar për lirinë e atdheut.” shton Besniku.



Por kush ishte Fahredin Hoti?
Fahredin Hoti u lind në Krushë të Madhe më 27 nëntor 1953. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyer, ndërsa si fëmijë ëndërronte të bëhej mjek, prandaj vendosi ta kryejë fillimisht shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë e regjistroi në Sarajevë në Bosnje e Hercegovinë por kthehet dhe diplomon në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1983.
Pas diplomimit një kohë të gjatë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Rahovec e rrethinë, duke u treguar gjithmonë i gatshëm për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve të asaj ane. Në vitin 1991 kreu specializimin nga gjinekologjia me akusheri në Rijekë të Kroacisë.
Pas kryerjes së specializimit, si gjinekolog me zell e përkushtim punoi në Rahovec, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë.

“Prania e Dr. Fahredinit në Repartin e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Prizren, nuk shihej me sy të mirë nga pushtetit serb.” shprehet djali i tij, Besniku.
Pas hapjes së lindores “NËNA” në Prishtinë në kuadër të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Dr. Fahredini iu bashkëngjit gjinekologëve të tjerë të Kosovës në punën humanitare për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe të fëmijëve të Kosovës.
Njohuritë e veta profesionale e shkencore ua mësoi edhe brezave të rinj, duke punuar si mësimdhënës pa kurrfarë kompensimi financiar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë” Dr. Luciano Motroni” në Prizren, nga viti shkollor 1993/94 e deri pak ditë para vrasjes.
U angazhua në veprimtari të shumta në Shoqatën e të Gjelbërve si dhe në Shoqatën “Mjekët pa kufij”. Ishte sportist i pasionuar, por edhe kishte sens të hollë për letërsi artistike. Në dorëshkrim i ka lënë një mori vjershash e krijime të tjera letrare, që janë botuar pas vdekjes me titullin, “Vdekja e një nate” gjatë viteve 2001-2016 dhe 2024.
Në planin profesional e shkencor ishte shumë ambicioz. Ka marrë pjesë aktive në shumë tubime shkencore e profesionale nga lëmi i gjinekologjisë me obstetrikë, mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e më gjerë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Fahredin Hoti punonte pa pushim në shtëpinë-spital, e cila ishte funksionale 24 orë në ditë dhe ku, sipas të dhënave, brenda një viti u regjistruan mbi 800 lindje. Ndonëse këta fëmijë vinin në jetë në tenda plastike dhe në kushte të rënda higjienike, Fahredini i gëzohej çdo jete të re, me besimin se këta fëmijë do të rriteshin në liri dhe do të përjetonin frytet e sakrificave të paraardhësve të tyre.
“Në këtë luftë dr. Fahredini bëri aq sa diti e mundi dhe dha aq sa pati për të dhënë – jetën e tij dhe të birin Kreshnikun.” përmbyll Besniku.













