Sht, Qer 20, 2026
Banner Top
Banner Top
“Doktoreshë, më ndihmo djali im është steril?!” – Përvojë domethënëse mbi keqkuptimin e një termi mjekësor, tregon Dr. Meritë Rrahmani

Në ordinancat mjekësore shpesh ndodhin situata që tregojnë sa i rëndësishëm është komunikimi i qartë me pacientët. Një rast i tillë u përjetua së fundmi nga doktoresha Meritë Rrahmani, e cila ndau një përvojë domethënëse mbi ndikimin që mund të ketë keqkuptimi i një termi mjekësor.

Një zonjë e shqetësuar u paraqit në ordinancën e saj, duke kërkuar ndihmë për djalin. Në gjendje ankthi, ajo shpjegoi se djali i sapomartuar kishte bërë një analizë dhe, sipas saj, rezultati tregonte se ishte “steril”. Për shkak të turpit, djali nuk kishte guxuar të paraqitej vetë, ndërsa frika më e madhe ishte se bashkëshortja e tij mund të kërkonte divorc nëse e mësonte këtë rezultat.

Lexoni poshtë përvojën e plotë të doktoreshës.

Para disa ditësh, në ordinancën time u paraqit një zonjë e shqetësuar që kërkonte ndihmë për djalin e saj. Ishte vetëm, as me fëmijë të vegjël e as me ndonjë të rritur që mund të ishte djali në fjalë. U sigurua që dera të mbyllej mirë, për të garantuar konfidencialitetin maksimal, një standard që gjithmonë përpiqem ta ofroj për secilin pacient.

E ftoj zonjën të ulet dhe i them të qetësohet. Në pamje të parë, dukej sikur kishte vrapuar një maratonë, pa frymë dhe në ankth. Afrohem me tensiometrin për t’i matur shenjat vitale, por ajo refuzon: “S’jam unë problemi, doktoreshë, është djali im!”

E dëgjoj me kujdes. Ajo vazhdon: “E kam martuar djalin para pak kohësh dhe tani analiza i ka dalë që është steril. Ai nuk ka dashur të vijë vetë nga turpi… Më kërkoi t’jua sjell unë analizën. Nuk ia ka treguar as gruas, nga frika se mos po ndahet. Doktoreshë, më ndihmoni, çfarë të bëjmë? Në familjen tonë askush s’ka qenë ndonjëherë steril. Ne kemi pasur gjithmonë shumë fëmijë: 5, 6, deri në 10!”

Për një moment mbeta e habitur dhe u përpoqa të kuptoj se për çfarë diagnoze mund të bëhej fjalë. I kërkova ta shihja analizën që “konfirmonte sterilitetin”. Zonja ma dorëzoi me duar që i dridheshin. Në momentin që pashë rezultatin, më doli një buzëqeshje e lehtë, pa mundur ta fsheh plotësisht. Zonjës i ndryshoi fytyra dhe më pyeti me druajtje: “Pse po qesh, doktoreshë? A është shumë keq?”

Në fakt, analiza që mbante në dorë ishte një urinokulturë, ku thuhej: “Mostra është sterile, nuk ka rritje të patogjeneve.” Fillova t’ia shpjegoj me qetësi se analiza që djali i saj kishte bërë nuk kishte aspak lidhje me fertilitetin, por ishte një test për infeksione urinare, i cili tregonte se nuk kishte bakterie, pra nuk kishte infeksion.

Në atë moment, edhe zonja filloi të buzëqeshte. Nga lehtësimi. Nga hutia. Nga keqkuptimi që sapo ishte sqaruar.

Kjo situatë më rikujtoi fuqishëm rëndësinë që ka informimi i qartë i pacientëve lidhur me analizat që u kërkojmë, arsyet pse i bëjmë dhe kuptimin e rezultateve. Një analizë e keqinterpretuar, një fjalë e panjohur si “sterile”, mund të sjellë ankth, panik dhe frikë të panevojshme.

Prandaj është thelbësore:

  • të sqarojmë gjithmonë pse po kërkojmë një analizë;
  • të sigurohemi që pacienti kupton çfarë po matet dhe çfarë jo;
  • t’i inkurajojmë pacientët të bëjnë pyetje, të kërkojnë sqarim dhe të mos turpërohen për asgjë që lidhet me shëndetin e tyre.

Komunikimi i mirë nuk është luks, por një pjesë themelore e kujdesit shëndetësor cilësor. Ai jo vetëm që ndihmon në diagnozë dhe trajtim, por mbron pacientët nga frikëra të panevojshme, përmirëson marrëdhënien mjek–pacient dhe promovon besim, qartësi e qetësi mendore.

Youtube

Arkiva

Kategoritë