Janari, muaji i rikthimit në realitet pas dritave dhe gëzimit të festave, për shumë njerëz shënon edhe një rënie të ndjeshme të humorit dhe energjisë. Ekspertët e shëndetit mendor e konsiderojnë këtë periudhë si një sfidë për rikthimin në rutinën pas festave.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë fenomen, Familja Jonë ka realizuar një intervistë me psikologun Besnik Peci, i cili shpjegon arsyet kryesore që ndikojnë në uljen e humorit gjatë janarit, si dhe ndan këshilla praktike për ta përballuar më lehtë këtë gjendje.
Sipas Pecit, depresioni i janarit, i njohur edhe si “January blues”, nuk përbën një diagnozë mjekësore por përshkruan një gjendje të përkohshme trishtimi, lodhjeje dhe mungese motivimi që shumë njerëz e përjetojnë zakonisht pas përfundimit të festave të fundvitit.
Peci shpjegon se kjo gjendje lidhet me ndryshimet sezonale, rikthimin në rutinë dhe faktorë emocional e social dhe zakonisht kalon vetvetiu.
“Janari na mëson se edhe pas dritave të festave, drita e brendshme duhet ushqyer çdo ditë, sepse edhe ditët më të ftohta nuk zgjasin përgjithmonë. Depresioni i janarit nuk është dobësi, por një thirrje për më shumë kujdes ndaj vetes dhe për të qenë më të butë me ndjenjat tona.” thekson Peci.
Ai shton se ndonjëherë lodhja që ndiejmë në këtë muaj është thjesht shpirti që kërkon ngadalësim dhe hapësirë për t’u rigjetur.
Megjithatë, Peci bën të ditur se depresioni i janarit dhe depresioni klinik duhet të merrn si e njëjta gjë, ngaqë siç shpjegon ai, ndryshimi kryesor është intensiteti, kohëzgjatja dhe ndikimi në jetën e përditshme.
“…Depresioni klinik, i njohur si çrregullim depresiv madhor, është një gjendje mjekësore e diagnostikueshme që zgjat të paktën dy javë, shpesh për muaj të tërë, ndikon ndjeshëm në funksionimin e përditshëm të individit dhe kërkon vlerësim profesional, si dhe trajtim të specializuar psikologjik ose mjekësor.” shpjegon Peci teksa shton se depresioni i janarit ndikohet nga një sërë faktorësh që shpesh veprojnë së bashku.
Mungesa e dritës së diellit gjatë ditëve të shkurtra të dimrit ndikon në balancën e hormoneve si serotonina dhe melatonina, duke ulur energjinë dhe humorin
Sipas Pecit, pas festave të fundvitit, shumë njerëz përjetojnë rënie emocionale për shkak të mbarimit të atmosferës festive, rikthimit në rutinë dhe stresit financiar.
“Stresi financiar, si pasojë e shpenzimeve të larta gjatë festave, është një tjetër faktor i rëndësishëm që rrit ankthin dhe ndjenjën e pasigurisë. Moti i ftohtë dhe kushtet e pafavorshme klimatike shpesh çojnë në izolim social dhe mungesë aktiviteti fizik, çka ndikon negativisht në shëndetin mendor.” shpjegon psikologu.
Ai vë theksin se si presioni për të përmbushur objektiva të reja në fillim të vitit, sidomos kur janë jorealiste, mund të krijojë ndjenjë dështimi dhe zhgënjimi që e përkeqëson këtë gjendje emocionale.
Cilat janë simptomat më të zakonshme të depresionit të janarit?
Simptomat më të zakonshme të depresionit të janarit janë zakonisht të lehta deri në të moderuara dhe shfaqen gradualisht.
Sipas Pecit, njerëzit mund të përjetojnë ndjenja trishtimi ose zbrazëtie emocionale, të shoqëruar me lodhje të vazhdueshme edhe pas pushimit ose gjumit të mjaftueshëm.
“Shpesh vërehet mungesë motivimi dhe kënaqësie për aktivitete që më parë kanë qenë të këndshme, si dhe vështirësi në përqendrim dhe fokusim. Këto gjendje mund të shoqërohen me nervozizëm, ndjeshmëri emocionale të shtuar dhe ndryshime të lehta në oreks ose në rutinën e gjumit, pa e penguar rëndë funksionimin e përditshëm.” shpjegon ai.
Megjithëse gjatë muajit janar njerëzit të ndihen pak më të lodhur, me më pak energji dhe më të mërzitur se zakonisht, Peci sqaron se kjo gjë është mëse normale ngase në shumicën e rasteve, këto ndjenja janë të përkohshme dhe fillojnë të zvogëlohen gradualisht brenda disa javësh, veçanërisht kur rikthehet një rutinë e rregullt, rritet aktiviteti fizik dhe kalohen më shumë orë në dritë natyrale.
Kur është momenti që duhet të kërkojmë ndihmë profesionale?
Megjithëse jo çdo rënie humori duhet parë si shqetësuese, Peci nuk e përjashton faktin se ka raste kur sinjalet emocionale nuk duhen neglizhuar. Për këtë ai tregon se njohja e momentit të duhur për të kërkuar ndihmë profesionale është një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së shëndetit mendor.
“Ndihma profesionale duhet kërkuar kur simptomat nuk janë më të përkohshme dhe fillojnë të ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme. Është e rëndësishme të drejtohesh te një profesionist nëse ndjenjat e trishtimit zgjasin më shumë se dy deri në tre javë, bëhen më të thella ose të vazhdueshme dhe shoqërohen me humbje interesi për pothuajse çdo aktivitet.” sqaron ai.
Peci thekon gjithashtu se vështirësitë serioze në punë, studime apo marrëdhënie, si dhe shfaqja e mendimeve për vetëlëndim ose dëshpërim ekstrem, janë shenja të qarta që kërkojnë ndërhyrje profesionale.
“Kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por një hap i rëndësishëm drejt kujdesit për shëndetin mendor dhe mirëqenien personale.” apelon Peci.












