Një studim i ri paralajmëron se aplikacionet për monitorimin e gjumit mund të përkeqësojnë ankthin tek personat që vuajnë nga insomnia (pagjumësia), duke i bërë ata të përqendrohen tepër në cilësinë e gjumit.
Sipas studiuesve nga Universiteti i Bergenit, këto teknologji ndihmojnë disa përdorues, por për personat me probleme gjumi, efektet mund të jenë negative, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Autori kryesor i studimit, Håkon Lundekvam Berge, thekson se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë kërkon vëmendje më të madhe shkencore. Ai vuri në dukje se të rinjtë janë më të ndikuar nga këto aplikacione, duke raportuar njëkohësisht përfitime, por edhe më shumë stres dhe shqetësim.
Industria e gjurmimit të gjumit është në rritje të shpejtë. Sipas “Grand View Research”, tregu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arriti rreth 5 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe pritet të dyfishohet deri në vitin 2030.
Shumica e aplikacioneve përdorin sensorë në pajisje si orët inteligjente dhe byzylykët e fitnesit për të matur kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit.
Studimi përfshiu mbi 1,000 persona në Norvegjia me moshë mesatare 50 vjeç.
Rezultatet treguan se grupmoshat 18–50 vjeç kishin më shumë gjasa të përfitonin nga përdorimi i aplikacioneve, por gjithashtu përjetonin nivele më të larta stresi.
Sipas Karl Erik Lundekvam, personat me insomni janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj efekteve negative, pasi monitorimi i vazhdueshëm mund të rrisë shqetësimin dhe fokusin e tepruar tek gjumi.
Ekspertët këshillojnë që përdoruesit të kuptojnë kufizimet e këtyre aplikacioneve dhe, nëse ndihen të stresuar, të shmangin përdorimin gjatë natës ose të çaktivizojnë njoftimet.
Megjithatë, kur përdoren me kujdes, këto mjete mund të ndihmojnë në krijimin e zakoneve më të shëndetshme të gjumit, si reduktimi i përdorimit të ekranit para fjetjes.












