Pre, Maj 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Aksion simbolik për 1 maj: “Punëtoret e ndërtojnë Kosovën që s’iu takon”

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve e cila shënohet më 1 maj, sot Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë bllokuar njërën nga rrugët në Prishtinë si shenjë proteste për kushte më të mira të punës për punëtorët.

Ky kolektiv ka protestuar përmes motos “Punëtorët e ndërtojnë Kosovën që s’iu takon”.

“Jemi ne dhe shumë para nesh që kanë ndërtuar të mirat që sot na vidhen dhe përdoren kundër nesh, duke na mbajtur shumë prej nesh veç me trosha buke e lëmoshë, në një ekonomi që po rritet me djersën e gjakun e punëtorëve/eve, për të na varfëruar edhe më tej shumicën prej nesh.” thuhet në postimin e tyre në rrjetin social Facebook.

Kjo organizatë theksoi se sot punëtorët përballen me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik.

“Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim.” thuhet në këtë postim.

Nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë theksuar se këtë 1 Maj është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin.

“Këtë 1 Maj kumtojmë që është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin. Për ta bërë këtë, na duhet të besojmë te ndryshimi dhe forca e organizimit tonë si klasë punëtore të të gjitha sektoreve.” thuhet në postim.

“Çlirimi ynë vjen veç prej bashkimit tonë!” ka përmbyllur Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist

Youtube

Arkiva

Kategoritë