Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar 187 mijë e 314 qytetarë, nga të cilët 63 mijë janë imunizuar me dy dozat.
Kështu ka sqaruar Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Shneta, kur është pyetur nëse në numrin total të vaksinave të administruara deri më tani, e që janë 250,658, janë përfshirë edhe dozat e dyta.
MSH ka sqaruar se deri më tani në Kosovë janë administruar 250 mijë e 658 vaksina. Nga ky numër total i vaksinave, 124 mijë e 35 qytetarë janë vaksinuar me një dozë, ndërsa 63,291 me dy doza.
“Deri me tani janë administruar 250.605 vaksina, prej tyre 124,023 qytetarë kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës, kurse 63.291 qytetarë kanë marrë të dy dozat e vaksinës. Pra, 124.035+(63.291) x 2=250.605”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas përllogaritjes i bie që në Kosovë deri më tani mbi 6 përqind e popullsisë janë vaksinuar me një dozë, ndërsa 3.5 për qind me dy doza.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës është zotuar se deri në fund të këtij viti do të vaksinojë deri në 60 për qind të popullsisë. Ministria e Shëndetësisë në anën tjetër ka deklaruar se pas kontratës me Pfizer për blerjen e 1.2 milionë vaksinave, si dhe donacioneve, ka në stok doza të mjaftueshme të vaksinave për procesin e imunizimit.