Gjumi i përshtatshëm është çelësi i shëndetit të mirë, mirëqënies dhe funksionimit të duhur në të gjitha fazat e jetës, e kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët. Gjumi i varfër mund të pengojë rritjen dhe zhvillimin e shpejtë në fëmijërinë e hershme.
Nuk ka të bëjë vetëm me kohëzgjatjen e gjumit; koha kur shkon në shtrat luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin fizik, emocional dhe njohës të fëmijëve. Një orar i njëjtë në mënyrë të vazhdueshme i gjumit është veçanërisht i rëndësishëm për fëmijët e vegjël që kalojnë nga gjumi dyfazik (kur fëmijët ende flenë gjatë ditës) në gjumë monofazik (kur gjumi ndodh vetëm gjatë natës).
Fëmijët që flenë vonë, jo gjithmonë plotësojnë orët e rekomanduara të gjumit, por provat gjithashtu sugjerojnë se ora e vonë e rënies në shtrat shoqërohet me probleme të cilësisë së gjumit dhe me vështirësi për të fjetur. E gjithë kjo mund të shtojë problemet që lidhen me përqëndrimin, kujtesën dhe sjelljen tek fëmijët.
Një orar i hershëm i gjumit është i mirë edhe për shëndetin fizik
Një studim tek fëmijët e moshës parashkollore që jetojnë në familje me të ardhura të ulëta zbuloi se gjumi i pamjaftueshëm shoqërohej me një rrezik më të lartë për mbipeshës. Një përmbledhje e literaturës akademike mbi këtë cështje gjeti se: Gjumi i dobët është gjithnjë e më i zakonshëm tek fëmijët dhe lidhja midis kohëzgjatjes së shkurtër të gjumit në fëmijërinë e hershme dhe mbipeshës është gjetur në mënyrë konsistente nga studimet.
Vlen të përmendet se shumica e studimeve mbi këtë cështje janë të kros-seksionale, që do të thotë se ato vlerësojnë të dhënat nga një popullatë në një moment specifik në kohë. Këto lloj studimesh shoqërohen me kufizime të shumta që e bëjnë të vështirë ta thuash me siguri nëse zakonet jo të mira të gjumit shkaktojnë rrezik më të lartë të mbipeshës. Për të ditur më shumë, na duhen më shumë studime longitudinale, që shqyrtojnë ndryshimet në popullatë me kalimin e kohës. E thënë kjo, provat e dala nga studimet longitudinale mbështesin idenë se një orar i hershëm i gjumit mund të jetë i vlefshëm për betejën.
Një studim i zhvilluar në kohë zbuloi se fëmijët e moshës parashkollore që shkonin në shtrat më herët kishin 50% më pak mundësi për të qenë mbipeshë se ata që shkonin në shtrat më vonë. Koha e gjumit është një rutinë e modifikueshme që mund të ndihmojë në parandalimin e mbipeshës.
Një studim i botuar vitin e kaluar në revistën Acta Paediatrica, analizoi katër vjet të dhëna nga 1,250 fëmijë Aborigjene dhe nga ishulli Torres Strait të moshës pesë deri në tetë vjeç. Rezultatet theksojnë se edhe pas kontrollit të faktorëve sociodemografikë dhe të stilit të jetës, fëmijët që kishin vazhdimisht vonesa në gjumë (pas orës 21:30) ishin mesatarisht 1.5 kg -2.5 kg më të rëndë (në ndjekje tre vjet më vonë) sesa fëmijët që shkojnë në shtrat herët (rreth orës 19:00). Askush nuk mund të thotë ende me siguri se cila është marrëdhënia e saktë midis gjumit dhe rrezikut të mbipeshës. Ndoshta është për shkak se qëndrimi zgjuar vonë ofron më shumë mundësi për të ngrënë ushqim të shpejtë ose për të pirë pije me kafeinë. Ose mund të ketë faktorë më kompleks fiziologjik. Ora e brendshme e trupit, e cila rregullon gjumin, gjithashtu luan një rol vendimtar në sekretimin e hormoneve, metabolizmin e glukozës dhe ekuilibrin e energjisë.
Cila orë mund të quhet vonë?
Zakonet e gjumit formohen nga një sërë faktorësh biologjikë dhe kulturorë. Kur prindërit vendosin kohën e gjumit të fëmijës së tyre, ata ndikohen nga normat kulturore, mënyra e jetesës dhe ato që dinë për rëndësinë e gjumit.
Ka udhëzime të qarta për kohëzgjatjen e gjumit për secilën grupmoshë, por koha që një fëmijë duhet të shkojë në shtrat nuk është gjithmonë e përcaktuar aq qartë. Për një parashkollor, do të ishte e rekomandueshme një orar i vazhdueshëm gjumi midis orës 19:00 dhe 20:00 në mbrëmje për të siguruar gjumë të mjaftueshëm (duke pranuar, natyrisht, se puna dhe përgjegjësitë mund ta bëjnë këtë me të vërtetë të vështirë për disa prindër).
Këshilla për prindërit:
- Zhvilloni një rutinë të hershme të gjumit për fëmijën tuaj dhe përpiquni t’i përmbaheni asaj, edhe kur “nuk është një natë shkollore”.
- Koha e parregullt e gjumit prish ritmet natyrore të trupit dhe, siç e dinë shumë prindër nga përvoja e drejtëpërdrejtë, mund të çojë në probleme të sjelljes tek fëmijët.
- Fëmijëria e hershme është një kohë kritike në të cilën ndërtohen bazat e zakoneve të jetës.
- Zhvillimi i zakoneve të shëndetshme të gjumit mund t’i vendosë fëmijët në rrugën e duhur për një shëndet dhe mirëqënie më të mirë në të ardhmen. /Familja Jone