Mër, Pri 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Reagon Oda e Mjekëve të Kosovës për suspendimin dhe arrestimin e mjekut në Podujevë: Iu bë padrejtësi

Gjatë mbrëmjes së djeshme, nëpër rrjetet sociale, ka qarkulluar një video ku shihet doktori Ibrahim Hoti duke mos pranuar t’i japë shërbime mjekësore një qytetari, me arsyetimin se ai tashmë e ka përfunduar orarin e punës.

Pas kësaj sjelljeje të mjekut të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, është marrë vendimi që mjeku në fjalë të suspendohet nga puna dhe të arrestohet.

Këtë vendim në raport me Hotin po e sheh si të padrejtë Oda e Mjekëve të Kosovës e cila thotë se atij nuk i është dhënë kurrfarë mundësie sqarimi për situatën dhe nuk janë zhvilluar hetime paraprake për të.

Ata më tutje kërkojnë nga autoritetet e hetuesisë në komunën e Podujevës që ta lirojnë Hotin derisa të verifikohet rasti, në të kundërt nuk përjashtohet edhe ndërmarrja e masave sipas legjislacionit në fuqi nga ta.

Postimi i tyre i plotë:

Reagim ndaj suspendimit dhe arrestimit të Dr. Ibrahim Hotit, mjek pranë QKMF-Podujevë

Oda e Mjekëve të Kosovës e ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në qytetin e Podujevës. Me këtë rast, OMK vlerëson se anëtarit të saj, Dr. Ibrahim Hotit, i është bërë padrejtësi duke e suspenduar nga vendi i punës dhe duke e arrestuar pa iu dhënë mundësia e sqarimit dhe pa u zhvilluar hetime paraprake dhe të nevojshme dhe vërtetuar se a janë respektuar protokolet mjekësore gjatë trajtimit të pacientit në fjalë.

Ky veprim i padrejtë i institucioneve të sundimit të ligjit ka bërë që me qindra pacientë të mbesin në kohë pandemie pa marrë shërbime dhe trajtim specifik në këtë kohë pandemie.

OMK i bën thirrje autoriteteve të hetuesisë dhe nivelit komunal të Komunës së Podujevës që para se të ndërmarrin veprime spektakolare duke arrestuar një mjekë pa respektuar procedurat verifikuese mbi respektimin e protokoleve mjekësore të bëjë lirimin e menjëhershëm të Dr. Hotit deri në verifikimin e rastit, përndryshe neve si përfaqësues të komunitetit të mjekëve, edhe në kushte pandemie, do të detyrohemi për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi.

OMK qëndron fort prapa zbatimit të ligjeve dhe Kodit të deontologjisë mjekësore por edhe në ngritjen e zërit dhe ndërmarrjen e veprimeve në mbrojtjen e komunitettit në rast të ndërmarrjes së masave arbitrare dhe denigruese ndaj kolegëve tonë.

Oda e Mjekëve të Kosovës

Ibrahim Hoti punonte si pulmolog në QKMF të Podujevës

Youtube

Arkiva

Kategoritë