Mër, Pri 1, 2026
Banner Top
Banner Top
Presidentja Vjosa Osmani dekoron Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it kundër Turqisë (0:1).

Siç ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës, në fjalën e saj, Osmani theksoi se pavarësisht rezultatit, Kombëtarja mbetet një nga përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare.


“Pavarësisht rezultatit, ju do të mbeteni në piedestalin më të lartë të Republikës sonë për krenarinë që i keni bërë popullit tonë. Prandaj, në emër të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë” – tha Osmani.


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e cilësoi këtë dekoratë si vlerësimin më të lartë për ekipin.


“Kjo është medalja më e çmuar, medalja e shtetit tonë, medalja e popullit tonë… Ne si federatë dhe si futbollistë jemi shumë të lumtur për bashkëpunimin kaq të mirë dhe kaq të afërt me presidenten tonë” – u shpreh Ademi.


Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, tha se skuadra ka dëshmuar se me unitet mund të përballojë çdo sfidë.


“Ne kemi treguar se nëse e vazhdojmë rrugëtimin bashkë mund ta kalojmë çdo betejë. Një gjeneratë shumë e mirë, një gjeneratë e artë po vjen. Jam shumë krenar që jam pjesë e stafit të Kosovës” – deklaroi ai.


Federata e Futbollit e Kosovës ka shtuar se dekorimi vjen si vlerësim për arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për rrugëtimin e suksesshëm deri në fazën finale të kualifikimeve për Kupën e Botës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë