Një numër i konsiderueshëm i mjekëve dhe infermierëve nga Kosova kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në Shqipëri.
Kjo kishte ndodhur për shkak të vullnetit të mirë të shtetit shqiptar për të vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë nga Kosova.
Mirëpo me ardhjen e dozave të para të AstraZeneca në Kosovë situata mund të ndryshojë.
Qeveria ka premtuar se të parët do të vaksinohen punëtorët shëndetësor e më pas kategoritë tjera të ndjeshme, njofton Telegrafi.
Donjeta Pllana Hajdari është një mikrobiologe nga Kosova që ishte ndër të parat që u vaksinua në Kukës.
Mirëpo për të qenë efektive vaksina AstraZeneca si dhe shumica e vaksinave tjera duhet të injektohet me dy doza.
Edhe pse lloji i vaksinës është i njëjtë mikrobiologia thotë se atyre i është rekomanduar që edhe dozën e dytë ta marrin në Kukës.
“Doza e dytë mund të merret pas 4-12 javëve. Nëse e kemi vaksinën e njëjtë nuk besoj se është ndonjë problem që ta marrim edhe këtu, por neve na është thënë që doza e dytë e vaksinës të merret në Kukës me llojin e njëjtë që e kemi marrë edhe herën e parë”, ka thënë Donjeta Pllana Hajdari për RTV Dukagjinin.
Mikrobiologia thotë se duhet të bëhet më shumë në mënyrë që populli të mos ketë frikë të merr këtë lloj të vaksinës.