Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe, UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë lëshuar disa udhëzime se si t’i mbrojmë fëmijët nga koronavirusi.
Ky udhëzues ka vlerësime kritike dhe lista praktike për t’i mbrajtur fëmijët dhe shkollat e sigurta nga virusi COVID-19.
Kjo është komunikata e përbashkët e tyre:
Në rast të mbylljeve të shkollave, udhëzuesi përfshin rekomandime për t’i zvogëluar ndikimet e mundshme negative në të nxënit dhe mirëqenien e fëmijëve. Kjo nënkupton krijimin e planeve të qëndrueshme për të siguruar vazhdim të të nxënit, duke përfshirë opsionet e të mësuarit në distancë siç janë strategjitë e arsimit online dhe transmetimet në radio me përmbajtje akademike dhe qasje në shërbime thelbësore për të gjithë fëmijët. Këto plane duhet të përfshijnë poashtu hapa të nevojshëm për rihapjen e mundshme të sigurt të shkollave.
Në rastet kur shkollat mbesin të hapura – dhe për t’u siguruar se fëmijët dhe familjet e tyre mbesin të mbrojtur dhe të informuar, udhëzuesi këshillon që:
• T’iu ofrohen fëmijëve informata për mënyrën se si duhet të mbrohen;
• Të promovohen praktikat më të mira të pastrimit të duarve dhe të higjienës dhe sigurimi i materialeve higjienike;
• Të pastrohen dhe të dezinfektohen ndërtesat e shkollave, sidomos objektet e ujit dhe sanitarisë; dhe
• Të rritet qarkullimi i ajrit dhe ajrosja.
Përderisa është specifik për vendet që tashmë e kanë konfirmuar transmetimin e COVID-19, Udhëzuesi është megjithatë i vlefshëm në të gjitha kontekstet. Arsimimi mund tâ �™i nxisë fëmijët të bëhen avokues për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes në shtëpi, në shkollë dhe në komunitetin e tyre duke biseduar me të tjerët në lidhje me mënyrën se si mund ta parandalojnë përhapjen e viruseve. Mbajtja e funksionimit të sigurt të shkollave apo rihapja e tyre pas mbylljes kërkon shumë vlerësime por nëse bëhet si duhet mund ta promovojë shëndetin publik.
Për shembull, udhëzimet për shkolla të sigurta të zbatuara në Guine, Liberi dhe Sierra Leone gjatë shpërthimit të sëmundjes së virusit Ebola nga viti 2014 deri në 2016 ndihmuan në parandalimin e transmetimeve të virusit me bazë në shkollë.
UNICEF iu bën thirrje shkollave – qofshin të hapura apo duke iu ndihmuar nxënësve përmes të nxënit në largësi – t’iu ofrojnë nxënësve mbështetje të plotë. Shkollat duhet t’iu ofrojnë nxënësve informata jetike për pastrimin e duarve dhe masat e tjera për ta mbrojtur veten dhe familjet e tyre; të lehtësojnë mbështetje për shëndetin mendor; dhe të ndihmojnë në parandalimin e stigmës dhe diskriminimit duke i nxitur nxënësit të jenë të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit dhe t’i shmangin stereotipet kur flasin për virusin.
Udhëzuesi i ri poashtu iu ofron këshilla dhe lista të dobishme prindërve dhe kujdestarëve si dhe vetë fëmijëve e nxënësve. Këto veprime përfshijnë:
• Monitorimin e shëndetit të fëmijëve dhe mbajtjen e tyre në shtëpi nëse janë të sëmurë;
• Nxitjen e fëmijëve për të bërë pyetje dhe për t’i shprehur shqetësimet e tyre; dhe
• Kollitjen apo teshtitjen në një faculetë apo në bërryl dhe shmangien e prekjes së fytyrës, syve, gojës dhe hundës.