Pre, Nën 20, 2026
Banner Top
Mbi 500 fëmijë me diabet tip 1 në Kosovë, Pediatria e QKUK-së: Pompat insulinike janë të domosdoshme për përmirësimin e cilësisë së jetës

Mbi 500 fëmijë me diabet mellitus të tipit 1 janë nën përcjellje dhe trajtim në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 janë diagnostikuar edhe 32 raste të reja me këtë sëmundje. Përveç menaxhimit të përditshëm të diabetit, një nga sfidat për këta fëmijë dhe familjet e tyre mbetet sigurimi i sensorëve dhe pompave insulinike për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (sheqerit) në gjak.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Shneta, gjatë vitit 2026, janë diagnostikuar gjithsej 35 fëmijë me diabet mellitus. Prej tyre, 32 janë me diabet të tipit 1, një fëmijë me diabet neonatal në kuadër të sindromës Wolcott-Rallison, një me diabet monogjenik MODY 2 dhe një me diabet të tipit 2.

Numri i rasteve të reja me diabet të tipit 1 te fëmijët mbetet pothuajse njëjtë me dy vitet paraprake. Në vitin 2025 janë diagnostikuar 44 raste të reja, ndërsa në vitin 2024 gjithsej 42.

Pavarësisht furnizimit me insulinë që ofrohet falas, fëmijët nuk kanë të siguruar sensorë për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM), e as qasje në trajtimin me pompa të insulinës. Nga Klinika e Pediatrisë kanë theksuar se sigurimi i këtyre pajisjeve është ndër nevojat prioritare për përmirësimin e trajtimit dhe të cilësisë së jetës së pacientëve.

“Sigurimi i këtyre teknologjive mbetet një nevojë prioritare, pasi mundëson kontroll më të mirë të glikemisë, zvogëlimin e komplikimeve akute dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe familjeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së Pediatrisë.

Ndërkohë, pacientët e diagnostikuar me diabet mellitus në Klinikën e Pediatrisë, prej moshës 18+, vazhdojnë trajtimin e specializuar në Klinikën e Endokrinologjisë.

Sipas të dhënave të ksaj klinike, deri në fund të tetorit 2026 janë hospitalizuar 513 pacientë me diabet mellitus. Prej tyre, 456 kanë qenë me diabet të tipit 2, 52 me tipin 1 dhe pesë me diabet gestacional. Gjithashtu, në këtë klinikë kanë qenë të hospitalizuar 18 pacientë me diabet, 16 me tipin 2 dhe dy me tipin 1.

Nga Klinika e Endokrinologjisë kanë sqaruar se kanë vërejtur rritje të rasteve me diabet të tipit 1 në moshat e reja, të cilët pas trajtimit në shërbimin pediatrik vazhdojnë përcjelljen në këtë klinikë.

Sa u përket faktorëve që mund të ndikojnë në këtë rritje, klinika ka përmendur predispozitën gjenetike, infeksionet virale, ndryshimet e mjedisit dhe stilit të jetesës, stresin psikologjik, por edhe rritjen e vetëdijesimit të pacientëve dhe familjarëve për sëmundjen.

Mbi 14 mijë persona me diabet të tipit 1 dhe 2 në Kosovë

Ndërkohë, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) tregojnë se gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 11 mijë e 729 persona me diabet të tipit 2 dhe 2 mijë e 681 me diabet të tipit 1.

Në total, gjatë atij viti janë regjistruar 14 mijë e 410 persona me këto dy lloje të diabetit.

Institucionet shëndetësore kanë bërë thirrje për kontrolle të rregullta, ushqyerje të shëndetshme dhe identifikim të hershëm të faktorëve të rrezikut.

Mesazhi i këtij viti rreth fushatave ndërgjegjësuese ndaj diabetit është: “Vepro herët, parandalo diabetin!”

Youtube

Arkiva

Kategoritë