Një ndërhyrje e rrallë dhe komplekse është realizuar me sukses në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku për herë të parë një ekip vendor i mjekëve ka kryer zëvendësimin e plotë të harkut të aortës, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërhyrja është kryer te një pacient 52-vjeçar, i cili ishte diagnostikuar me diseksion akut të aortës të tipit Stanford A, një gjendje kërcënuese për jetën që kërkon trajtim të menjëhershëm kirurgjikal.
Pacienti fillimisht kishte kërkuar ndihmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt, pas paraqitjes së dhimbjeve të forta në kraharor dhe shpinë. Për shkak të dyshimeve për një dëmtim serioz të aortës, ai ishte transferuar urgjentisht në QKUK, ku ekzaminimet mjekësore konfirmuan diagnozën.
Gjatë operacionit, mjekët konstatuan se çarja e shtresës së brendshme të aortës ndodhej në harkun e saj, duke e bërë të domosdoshëm zëvendësimin e plotë të këtij segmenti.
Përveç kësaj, ekipi arriti të ruajë valvulën natyrale të aortës së pacientit, duke e riparuar atë pa pasur nevojë për vendosjen e një valvule artificiale.
Realizimi i këtyre dy procedurave njëkohësisht përbën një sfidë të veçantë kirurgjikale, pasi kërkon teknika të avancuara dhe kujdes të madh për të siguruar furnizimin e pandërprerë me gjak të trurit dhe organeve të tjera jetike.
Pas ndërhyrjes, gjendja e pacientit është përmirësuar dukshëm. Ai ka qëndruar 11 ditë në spital, pas së cilave është liruar për të vazhduar rikuperimin në shtëpi.













